Eurokomisionerja për Energjinë: BE-ja, e gatshme të bëjë pa importet e gazit rus
2024-09-13 15:22:46

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Bashkimi Europian është i gatshëm të bëjë pa importet e gazit rus të transportuar përmes Ukrainës, pasi marrëveshja aktuale e tranzitit skadon në fund të vitit, deklaroi eurokomisionerja për Energjinë, Kadri Simson, shkruan “ATSH”.

Kontrata për tranzitin e gazit rus përmes Ukrainës përfundon më 31 dhjetor.

“Pavarësisht sanksioneve të gjera ekonomike, disa vende të BE-së vazhdojnë të blejnë gaz nga Rusia. Furnizimet ruse aktualisht përbëjnë 18% të importeve të gazit të BE-së, nga 45% në vitin 2021”,- theksoi Simson, duke shtuar se nuk ka nevojë për të zgjatur tregtinë me “Gazprom”-in.

Sipas saj, BE-ja po ndihmonte kompanitë me kontrata afatgjata me kompaninë shtetërore ruse të gazit për të gjetur furnizues të tjerë.

Presidenti Vladimir Putin deklaroi javën e kaluar se Rusia ishte e gatshme të vazhdonte furnizimin me gaz në Europë përmes Ukrainës.

Megjithatë, Ukraina ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të zgjasë marrëveshjen me Rusinë, por mund të lejojë përfundimisht kalimin e gazit nga Azia Qendrore ose Azerbajxhani.  (Irma)