Kina përgatitet për fluks udhëtimesh gjatë Festës së Mes Vjeshtës
2024-09-13 18:44:23

Foto nga VCG

Kina pritet të përjetojë një rritje të udhëtimeve brenda dhe jashtë vendit, gjatë festës së ardhshme, Festa e Mes Vjeshtës, bëri me dije të premten Administrata Kombëtare e Emigracionit. Kjo administratë ka marrë masa të veçanta për të siguruar lëvizje të sigurt, efikase dhe të qetë gjatë pushimeve.

Administrata Kombëtare e Emigracionit parashikon një mesatare ditore prej 1.8 milionë udhëtime pasagjerësh gjatë periudhës së festave, një rritje prej 21.9% nga viti i kaluar. Piku, si në udhëtimet hyrëse ashtu edhe ato dalëse, do të vërehet në datat 14 dhe 17 shtator.

Aeroportet e mëdha ndërkombëtare po përgatiten për shtimin e vëllimit të pasagjerëve. Aeroporti Ndërkombëtar i Kryeqytetit të Pekinit, Aeroporti Ndërkombëtar i Shanghait Pudong, Aeroporti Ndërkombëtar Guangzhou Baiyun dhe Aeroporti Ndërkombëtar Chengdu Tianfu parashikohet të trajtojnë fluks ditor të hyrjeve dhe daljeve respektivisht prej 42.000, 95.000, 42.000 dhe 16.000 udhëtime. Për më tepër, flukset e pasagjerëve në portet tokësore pranë Hong Kongut dhe Makaos pritet të rriten.

Në përgjigje, Administrata Kombëtare e Emigracionit ka udhëzuar autoritetet kufitare në të gjitha nivelet në vend, për të forcuar monitorimin e fluksit të udhëtarëve dhe operacioneve portuale, si edhe për të siguruar përditësime në kohë për ta. Kërkohet personel i mjaftueshëm dhe masa sigurie për të mbajtur kohën e përpunimit doganor nën 30 minuta.

Autoritetet e inspektimit kufitar udhëzohen gjithashtu të koordinohen me njësitë e përbashkëta në portet dhe departamentet lokale, për të menaxhuar fluksin e udhëtarëve dhe për të ofruar mbështetje për trafikun gjatë orëve të pikut.