Vendosja e kontrollit kufitar në Gjermani ngjall shqetësime në të gjithë BE-në
2024-09-13 16:58:38


Policia gjermane kryen kontrolle të rastit në kufi me Austrinë, që së shpejti do të futen në të gjitha kufijtë tokësorë në Kiefersfelden, Gjermani, 10 shtator 2024. [Foto/Agjenci]

Vendimi i fundit i Gjermanisë për të rivendosur kontrollet në të gjithë kufijtë tokësorë për të luftuar emigrimin e parregullt, kërcënimet nga terrorizmi dhe krimin e organizuar ndërkufitar, ka ngjallur reagime nga vendet fqinje dhe më gjerë, Bashkimi Europian (BE).

Masa e marrë pas një sërë krimesh të dhunshme, duke përfshirë një sulm vdekjeprurës me thikë në Solingen muajin e kaluar, ka ngritur shqetësime për ndikimin e saj në parimin e lëvizjes së lirë të zonës Shengen.

Rivendosja e kontrolleve kufitare, që zbatohet për të nëntë vendet fqinje të Gjermanisë, ka tërhequr shqetësim të veçantë nga partnerët e saj në zonën Shengen, shumë prej të cilëve i druhen ndërprerjeve në tregti dhe udhëtime, si dhe ndikimit të kësaj mase në unitetin europian.

“Transporti dhe Logjistika Holandë” (TLN), një organizatë holandeze e industrisë së transportit, ka shprehur shqetësimin për ndikimin e mundshëm në tregti, duke përmendur përvojat e kaluara të vonesave të gjata në kufi gjatë masave të ngjashme, si gjatë periudhës së pandemisë, ashtu edhe gjatë ngjarjeve të rëndësishme, si Kampionati Europian i Futbollit.

"Gjermania po minon marrëveshjen e Shengenit dhe lëvizjen e lirë të mallrave",- tha TLN, duke paralajmëruar se vonesat mund të çojnë në pasoja të rënda për zinxhirët e furnizimit.

Ministrja holandeze për Azilin dhe Migracionin, Marjolein Faber, tha se e kupton vendimin e Gjermanisë, por megjithatë theksoi nevojën për masa të qarta të zbatimit të këtij vendimi, për të garantuar shërbimet e tregtisë dhe qarkullimin e qetë të njerëzve dhe mallrave.

Polonia ka reaguar më ashpër. Kryeministri polak Donald Tusk e quajti veprimin e Gjermanisë si "një pezullim de facto të zonës Shengen" dhe e cilësoi atë "të papranueshëm" për Poloninë.

“Nuk kam asnjë dyshim se shtrëngimi i këtyre masave është nxitur nga faktorë të brendshëm politikë në Gjermani, jo nga politikat tona në lidhje me emigrimin e paligjshëm në kufijtë tanë”,- tha ai, duke paralajmëruar komunikime me vende të tjera të prekura nga këto vendime të Berlinit, për konsultime urgjente mbi veprimet që do të ndërmerren brenda Bashkimit Europian, veçanërisht me të gjitha shtetet fqinje të Gjermanisë.

Përveç Gjermanisë, e cila së fundmi mori këtë masë, edhe shtete të tjera anëtare të Bashkimit Europian kanë forcuar kontrollet kufitare vitet e fundit, kryesisht për shkak të goditjes së emigracionit të paligjshëm, duke shkaktuar fërkime me vendet fqinje.

Austria, për shembull, ka mbajtur kontrolle kufitare me Sllovakinë dhe ka zgjeruar kontrollet përgjatë kufirit të saj me Slloveninë, duke përmendur përpjekjet për të luftuar emigrimin e paligjshëm. Sllovakia, e cila ndan një popullsi të konsiderueshme ndërkufitare në lëvizje me Austrinë, ka shprehur shqetësime për ndërprerjet që mund të shkaktojnë këto masa.

Sllovenia, gjithashtu, ka protestuar vazhdimisht tek autoritetet e BE-së në lidhje me kontrollet e vazhdueshme kufitare të Austrisë, të cilat janë zgjatur disa herë që nga viti 2015.

Italia gjithashtu ka rifutur kontrollet në kufirin e saj me Slloveninë, ndërsa Letonia, kohët e fundit, zgjati një regjim të përforcuar të mbrojtjes së kufirit me Bjellorusinë deri në fund të vitit, duke përmendur një shtim të përpjekjeve për të kaluar ilegalisht kufirin.

Ndërkohë, Komisioni Europian është duke u angazhuar në diskutime me Gjermaninë mbi vendimin e saj për kontrollin e kufijve.

Një zëdhënëse e komisionit, Anitta Hipper, konfirmoi se Gjermania e kishte informuar komisionin për vendimin dhe vuri në dukje se sipas rregullave të Shengenit, shtetet anëtare kanë autoritetin të rifusin kontrollet e kufirit të brendshëm nëse është e nevojshme për të adresuar kërcënimet e rëndësishme ndaj politikave publike ose ndaj sigurisë së brendshme.

“Komisioni i BE-së po koordinon me autoritetet e Shengenit, të cilët janë në kontakt të ngushtë me autoritetet gjermane, si dhe me shtetet e tjera anëtare që aktualisht zbatojnë kontrollet e kufirit të brendshëm”,- shtoi Hipper.