Mogherini: Zgjerimi, në interes të Shqipërisë dhe vetë BE-së
2024-09-13 14:59:09

Mogherini (Foto RTSh)

Mogherini (Foto RTSh)

Hapja e Kolegjit të Europës në Tiranë është hap pozitiv i përafrimit të Shqipërisë dhe i shërben për të përgatitur terrenin për afrim me Bashkimin Europian, deklaroi rektorja e Kolegjit të Europës, Federica Mogherini, gjatë një interviste për “RTSH”-në.

Ajo theksoi se kolegji është një mundësi dhe një hap pozitiv, pasi i shërben Shqipërisë, Rajonit dhe kontinentit europian. Por, sipas saj, edhe institucionet e vendit duhet të realizojnë detyrat përkatëse.

“Prioriteti ynë është formësimi i një komuniteti njerëzish të rinj që së bashku me akademikë të niveleve të larta dhe profesionistë të marrin eksperiencë dhe njohuri, por njëkohësisht dhe të aftësohesh për të formësuar integrimin dhe për të lehtësuar procesin. Ne jemi shumë krenar që kemi një Kampus të tretë në Tiranë dhe ka shumë arsye pse u zgjodh kryeqyteti shqiptar për të hapur këtë kolegj. Tirana është një destinacion perfekt për sa i përket aspektit logjistik, sepsë është e ndërlidhur mjaft mirë me pjesën tjetër të Europës. Por, gjithashtu Shqipëria është kthyer në një nyje të rëndësishme të angazhimeve rajonale, si për Ballkanin Perëndimor ashtu edhe për Europën Juglindore”,- deklaroi Mogherini.  

Ajo theksoi edhe se ky është një hap paraprak i zgjerimit, siç ndodhi me rastin e hapjes së kampusit në Poloni, për të përgatitur pranimin e vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore në vitet ‘90 dhe më pas pranimi ndodhi.

“Unë e di që shqiptarët duan shumë t’i bashkohen BE-së dhe vijojnë të besojnë tek kjo gjë. Nuk duhet lejuar që ato që kanë ndodhur në të shkuarën të pengojë përfitimin nga mundësitë e tanishme. Tashmë është një dritare e hapur. Brenda BE-së ka një vetëdije që zgjerimi është në interes jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të vetë Unionit”,- deklaroi rektorja e Kolegjit të Europës.

Kolegji i Europës është një institucion i specializuar në studime europiane. Ai hapi dyert më 7 shtator për 32 studentë nga 21 vende të ndryshme të Europës, të cilët do të studiojnë në kryeqytetin shqiptar.

I themeluar 75 vjet më parë, ai ishte një projekt novator që kishte si qëllim të bashkonte brezat dhe për t’i bërë gati për integrimin europian. (Irma)