Edicioni i vitit 2024 i Panairit Ndërkombëtar për Tregtinë në Shërbime i Kinës (CIFTIS) u hap të enjten në Pekin, duke treguar angazhimin e Kinës për hapje më të madhe dhe për forcimin e bashkëpunimit në tregtinë globale të shërbimeve.
pjesëmarrësit në Panairin Ndërkombëtar për Tregtinë në Shërbime të Kinës/CFP
Ky panair 5-ditor, me temën "Shërbime globale për përfitime të përbashkëta", përmban teknologji të përparuara dhe përdorime novatore në tregtinë e shërbimeve.
Një element kryesor sivjet është fokusi në zhvillimin e forcave të reja prodhuese cilësore, që i referohet objektivit më të fundit të Kinës për teknologji të nivelit të lartë, produktivitet efikas dhe produkte e shërbime të cilësisë së lartë.
Ekspozuesit po demonstrojnë se si të dhënat e mëdha, teknologjitë me karbon zero dhe shërbimet digjitale mund të nxisin zgjerimin e tregtisë së shërbimeve.
Vizitorët mund të provojnë skenarë futuristë nëpërmjet ekraneve 3D dhe të eksplorojnë përparimet e automjeteve autonome në ekspozitë.
CIFTIS është zgjeruar qysh nga debutimi i tij në vitin 2012
Ndërmarrjet globale po zbulojnë rastet e reja në tregun e shërbimeve në zhvillim të Kinës: mbi 900 000 ekspozues dhe vizitorë nga 197 vende kanë marrë pjesë në CIFTIS që nga viti 2012.
Sivjet, 85 vende e organizata ndërkombëtare marrin pjesë, duke përfshirë gjigantë të industrisë, si "Siemens", "Google", "Amazon" dhe "GE Healthcare", që po shfaqin produktet e tyre më të fundit.
Xu Shaofeng, nënkryetari i lartë i kompanisë "Schneider Electric", që merr pjesë për herë të pestë në ekspozitë, theksoi për agjencinë "Xinhua" se tregu kinez është plot me gjallëri.
Ai shtoi se kjo kompani franceze do të krijojë një qendër në Kinë për të ofruar produkte e shërbime të përshtatshme që plotësojnë nevojat e tregut.
Kina nxit inovacionin në tregtinë e shërbimeve
Qeveria kineze po mbështet gjithashtu inovacionin e tregtisë së shërbimeve, me arritje historike të rëndësishme të shënuara së fundmi nga zbatimi i versioneve kombëtare dhe për zonat pilot të tregtisë së lirë të listës negative për tregtinë e shërbimeve ndërkufitare në prill. Duke konsoliduar masat e hyrjes, Kina ka rritur transparencën dhe parashikueshmërinë e menaxhimit të tregtisë së shërbimeve ndërkufitare.
një robot në ekspozitë të Panairit Ndërkombëtar për Tregtinë në Shërbime të Kinës/CFP
Ministria kineze e Tregtisë, së bashku me departamente të tjera, publikoi një njoftim për zgjerimin eksperimental të masave të hapjes në sektorin mjekësor në fillim të këtij muaji, duke lejuar ndërtimin e spitaleve plotësisht në pronësi të huaj në qytetet si Pekini dhe Tianjin.
Pavarësisht pasigurive ekonomike globale, tregtia e shërbimeve e Kinës vazhdon të lulëzojë, me fokusin e saj në digjitalizimin dhe nismat inteligjente e të gjelbra.
Në gjysmën e parë të vitit, vlera e shtuar e industrisë së shërbimeve të Kinës u rrit 4.6 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke zënë afro 56.7 % të PBB-së së saj, sipas të dhënave nga Zyra Kombëtare e Statistikave. (Xu Guang)