Ekspertët parashikojnë rënie të prodhimit të misrit në Shqipëri
2024-09-13 15:00:19

Fermerët kanë nisur korrjen e misrit, një nga kulturat më të rëndësishme për bujqësinë shqiptare.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Specialisti i Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore, Kostandin Hajkoja, deklaroi se këtë vit në Shqipëri u mbollën rreth 60 mijë hektarë me misër, por kushtet atmosferike nuk ishin të favorshme dhe kjo ndikoi në uljen e rendimentit, shkruan “Panorama”.

“Këtë vit misri pati shumë probleme për arsye të klimës, thatësira e tejzgjatur dhe temperaturat shumë të larta. Kanë qenë 3-4 gradë më shumë se mesatarja shumëvjeçare. Kjo ka sjellë probleme edhe me mbushjen e kallirit dhe peshën e kokrrës. Në pjesën më të madhe të tokave pa ujë rendimenti nuk i kalon 4 tonë për hektarë”,- thotë ai.

Edhe në rajon, sipas Hajkojës, këtë vit pati kushte klimaterike jo të favorshme për kultivimin e misrit, ç’ka pritet të ndikojë edhe në tregun rajonal të kësaj kulture të rëndësishme si për blegtorinë, ashtu edhe industrinë ushqimore.

Sipas tij, Shqipëria këtë vit pritet të plotësojë rreth 80 për qind të nevojave të saj për misër, ndërkohë që vitin e kaluar, për herë të parë pas 30 viteve, nevojat e vendit për misër u plotësuan në masën 100 për qind.

Shqipëria konsumon rreth 500 mijë tonë misër në vit për nevojat e blegtorisë dhe për industrinë ushqimore, por kjo shifër po shënon rritje nga viti në vit për shkak të rritjes së konsumit ushqimor nga numri i lartë i turistëve që vizitojnë vendin. (Irma)