Kancelari Scholz: Gjermania ka nevojë për emigrantë të aftë
2024-09-13 15:45:10

Kancelari gjerman (Foto Atsh)

Kancelari gjerman (Foto Atsh)

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, mbrojti politikën e emigracionit të qeverisë së tij dhe theksoi nevojën e vendit për të tërhequr të huaj të aftë.

“Nuk ka asnjë vend në botë me një popullsi pune në tkurrje që të ketë rritje ekonomike. Kjo është e vërteta me të cilën po përballemi”,- deklaroi Scholz gjatë fjalimit në Parlament, citon “ATSH”.

Scholz theksoi nevojën për të qëndruar të hapur ndaj emigracionit në Gjermani, që menaxhon dhe kontrollon siç duhet ardhjet.

“Ne jemi një vend që ofrojmë mbrojtje për ata që janë të përndjekur politikisht, që duhet të shpëtojnë jetën e tyre. Kjo është në kushtetutën tonë dhe ne nuk po e vendosim këtë për debat. Prandaj, hapja ndaj botës është e nevojshme. Por, hapja ndaj botës nuk do të thotë që kushdo që dëshiron mund të vijë. Ne duhet të jemi në gjendje të zgjedhim se kush vjen në Gjermani. Unë e them këtë në mënyrë të qartë”,- bëri të ditur kancelari Scholz.

Deklarata e tij vjen mes debatit të tensionuar dhe të ashpër në Gjermani mbi politikën e emigracionit dhe azilit.

Të martën në mbrëmje, bisedimet ndërpartiake midis koalicionit të Scholz dhe opozitës së qendrës së djathtë dështuan me kritika të ashpra.

Politika e emigracionit ka qenë temë dominuese në debatet politike, qëkur një sulmues sirian vrau me thikë tre persona dhe plagosi tetë të tjerë muajin e kaluar në qytetin perëndimor gjerman të Solingenit.

Ai i ishte shmangur urdhrit për t’u deportuar nga Gjermania në Bullgari, ku ishte regjistruar për herë të parë në Bashkimin Europian. (Irma)