Pallate (Foto ATSH)
Banka e Shqipërisë bën të ditur se çmimi i banesave në rang vendi u rrit me 16.9% në krahasim me gjashtëmujorin e dytë 2023 dhe me 8% ndaj së njëjtës periudhë të një viti më parë.
Sipas BSH-së, rritja ishte më e lartë në Tiranë. Indeksi i çmimit për shitjet në kryeqytet u rrit me 23.5% krahasuar me periudhën paraardhëse, citon “ATSH”.
Banka Qendrore argumenton se rritja e çmimit mesatar është ndikuar nga rritja e peshës së transaksioneve në zonat më të shtrenjta, siç është ajo qendrore e Tiranës, ku pronat e shitura në zonat qendrore zinin rreth 46% të të gjithë vëllimit të shitjeve. Ndërkohë që, në zonat jashtë kryeqytetit janë raportuar çmime shitjeje më të ulëta në krahasim me periudhat e mëparshme.
Numri i përgjithshëm i pronave të shitura shënon 928. Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi ra lehtë në 10.5 muaj nga 10.9 muaj në vrojtimin e mëparshëm.
Sipas agjentëve, rreth 53% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. (Elona)