Biden: SHBA po punon për t’i hequr Ukrainës kufizimin e përdorimit të armëve me rreze të gjatë
2024-09-12 17:31:18

Joe Biden (Foto Panorama)

Joe Biden (Foto Panorama)

Presidenti Joe Biden deklaroi se administrata amerikane po punon për të gjetur një mënyrë për heqjen e kufizimeve ndaj Ukrainës, në lidhje me përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi në konfliktin me Rusinë. 

I pyetur nga gazetarët në një konferencë shtypi, nëse SHBA-ja do t’i heqë kufizimet për Ukrainën, presidenti Biden u përgjigj duke thënë se administrata e tij po punon për këtë tani, shkruan “Panorama”.

Shtetet e Bashkuara kanë ngurruar ta lejojnë Ukrainën t’i përdorë armët me të cilat e furnizojnë, për sulme thellë brenda Rusisë, për shkak të druajtjes së përshkallëzimit të konfliktit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, javën e kaluar u bëri thirrje vendeve të Perëndimit t’i heqin kufizimet, duke u thënë liderëve ushtarakë dhe të mbrojtjes, të cilët u mblodhën në Gjermani, se ata nuk duhet t’ia kufizojnë aftësitë vendit të tij për sulme në territorin rus.

Por, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha pas takimit se asnjë armë ushtarake si e vetme nuk është vendimtare për Ukrainën për t’u përballur në konflikin me Rusinë, dhe se përdorimi i armëve amerikane për sulme thellë brenda territorit rus nuk do ta kthente konfliktin në dobi të Ukrainës. (Elona)