Tirana (Foto Panorama)
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), në projeksionet e reja për ecurinë e popullsisë së botës deri në vitin 2054, e rendit Shqipërinë mes vendeve me rënien më të madhe të popullsisë ndërmjet viteve 2024-2054 në rang global.
Raporti referon se grupi i vendeve ku përfshihet Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Lituania, Porto Riko dhe Moldavia do të përballet me një rënie të popullsisë në nivelet 14% në 30 vitet e ardhshme. Këto vende do të kenë normat më të larta globale të rënies së popullsisë, shkruan “Panorama”.
Në 63 vende dhe zona të tjera, që zotërojnë 28% të popullsisë së botës, popullsia e tyre arriti kulmin para vitit 2024. Ky grup përfshin Kinën, Gjermaninë, Japoninë dhe Rusinë.
Në 48 vende dhe zona, që përfaqësojnë 10% të popullsisë së botës në vitin 2024, numri i popullsisë parashikohet të arrijë kulmin midis 2025-s dhe 2054-s. Ky grup përfshin Brazilin, Iranin, Turqinë dhe Vietnamin. Numri i popullsisë në këto vende parashikohet të rritet me 5.3% në tridhjetë vitet në vijim.
Në 126 vendet dhe zonat e mbetura, popullsia ka të ngjarë të vazhdojë të rritet deri më 2054-n, potencialisht duke arritur një kulm pas vitit 2100. (Elona)