Debat i ashpër televiziv mes kandidatëve presidencialë Harris dhe Trump
2024-09-12 14:52:44

CFP

Kandidatët për president të SHBA-së, Kamala Harris dhe Donald Trump, u përballën të martën në mbrëmje në një debat të ashpër televiziv, i vetmi i planifikuar ballë për ballë mes të dyve, përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit.

Pyetjet e para u përqendruan në çështjet ekonomike, me demokraten Harris duke u bazuar në sfondin e saj të rritur në një familje të klasës së mesme, ndërsa republikani Trump u fokusua tek inflacioni dhe emigrantët pa dokumente, shkruan “ATSH”.

“Donald Trump nuk ka asnjë plan për ju. Kur shikoni planin e tij ekonomik, gjithçka ka të bëjë me lehtësimin e taksave për njerëzit më të pasur”,- tha kandidatja demokrate, e cila aktualisht shërben si zëvendëspresidente e SHBA-së.

Trump tha se normat e inflacionit nën administratën aktuale kishin qenë një katastrofë për njerëzit e çdo shtrese.

Harris, e cila e ka bërë kujdesin shëndetësor, dhe veçanërisht të drejtat riprodhuese, një çështje qendrore të fushatës së saj, kritikoi Trump për pozicionin e tij mbi të drejtat e abortit. Ndërsa ish-presidenti u përgjigj duke thënë se demokratët se ishin shumë liberalë në lidhje me abortin.

Në një diskutim për konfliktin ruso-ukrainas, Trump tha se nëse rizgjidhej president do ta zgjidhte atë brenda disa ditësh.

“Nëse do të isha unë president, konflikti nuk do të kishte filluar kurrë. Mendoj se është interesi më i mirë i SHBA-së për ta përfunduar atë përmes një marrëveshjeje, sepse duhet të ndalojmë shkatërrimin e jetëve njerëzore”, theksoi ai. Ndërsa Harris tha se aleatët europianë dhe të NATO-s ishin tepër mirënjohës që Trump nuk ishte më president, pasi, sipas saj, presidenti rus pas Ukrainës do t’i hidhte sytë nga ana tjetër e Europës, duke filluar nga Polonia.

Debati u mbajt pa audiencë në studio. Ata nuk u lejuan të merrnin shënime ose rekuizita të parashkruara në skenë dhe nuk ishin në gjendje t’i bënin pyetje njëri-tjetrit.

Harris dhe Trump janë afërsisht të barabartë në sondazhe, me hendekun e vogël midis dy kandidatëve brenda kufirit të marzhit të gabimit.

Në sistemin e komplikuar zgjedhor të SHBA-së, sondazhet kombëtare janë vetëm një barometër i opinionit publik.

Shumica e vëzhguesve janë fokusuar në të ashtuquajturat shtete të lëkundura, të cilat përfshijnë Miçiganin, Uiskonsinin dhe Pensilvaninë.

Dy kandidatët janë afërsisht të barabartë në këto shtete kyçe. (Elona)