Novacioni është ndër temat kryesore të edicionit të këtij viti të Ekspozitës Ndërkombëtare për Tregtinë në Shërbime të Kinës (CIFTIS), që u hap të enjten në Pekin. Novacioni nuk gjendet vetëm në pavijonet e kompanive të teknologjive të reja dhe të larta, por edhe të atyre tradicionale. Dyqani i famshëm qindvjeçar i çajit "Wuyutai" është një përfaqësues i shquar i tyre.
Pavijoni i kompanisë "Wuyutai" në CIFTIS të vitit 2024/ foto "Weibo"
Rrënjët dhe shpirti
Me të ardhura vjetore prej 1 miliard juanësh (140 milionë dollarë amerikanë), "Wuyutai" është bërë marka e vjetër e famshme e mirëpritur më shumë nga të rinjtë kinezë.
Duke folur për sekretin e zhvillimit të "Wuyutai"-t, kryetari i kësaj kompanie Zhao Shuxin tha se markat e vjetra të famshme duhet të mos harrojnë "rrënjët" dhe "shpirtin" e vet. "Rrënjët" janë mjeshtria tradicionale e këtyre markave të vjetra, ndërsa "shpirti" është novacioni.
Si një ndërmarrje me histori 137-vjeçare, "Wuyutai" ka tërhequr "shpirtin" e të rinjve me "rrënjët" e veta.
foto VCG
Dyqani në "Qianmen" i "Wuyutai"-t ndodhet pranë sheshit "Tiananmen", në qendër të Pekinit. Menaxherja e këtij dyqani, Fu Daidi, e përshkroi gjendjen e funksionit të dyqanit me fjalën "e zjarrtë".
Vënia në radhë është gjendja e zakonshme përpara dyqanit të "Qianmen"-it. Në kohën më të mirë, mbi 100 klientë renditen përpara dritares ku shiten akulloret, duke kryer një xhiro prej 50 mijë juanësh (7 mijë dollarë amerikanë) prej më shumë se 4 mijë akulloreve, shkruhet në një raport të gazetës "Beijing News".
Krahas akulloreve, edhe biskotat e çajit të saponxjerra nga furra janë bërë një produkt i parapëlqyer shumë nga klientët.
Akullore dhe pija e çajit nga "Wuyutai" / foto CFP
Dyqani tjetër i "Wuyutai"-t, pranë pikës së famshme turistike, tempullit "Yonghegong", ka një sipërfaqe vetëm 70 metra katrorë, por shënoi një xhiro 10 milionë juanë (1.4 milionë dollarë amerikanë) në 11 muajt e parë të vitit 2023, ose mbi 30 mijë juanë (4.2 mijë dollarë amerikanë) në muaj. Kjo radhitet në vendet e para për xhiron për frymë në shitjen me pakicë dhe për xhiron për metër katror.
Edhe pija e çajit të luleve është një tjetër produkt kryesor në përputhje me kërkesat e të rinjve. Tradicionalisht, çaji i luleve përgatitet në bazë të çajit të gjelbër dhe luleve të jaseminit, ndërsa "Wuyutai" bëri novacion në llojet e çajit dhe të luleve, duke prodhuar katër lloje të reja, si çaji i kuq me trëndafil, çaji i kuq me jasemin, çaji "Wulong" me lule osmanti dhe çaji i gjelbër me lule orkideje.
Në bazë të këtyre shijeve të reja të çajit të luleve, "Wuyutai" ka zhvilluar me radhë edhe çajin me qumësht, kekët e hënës me çaj, çarçakët me çaj, tortën "matcha", kafen "matcha", djathin "matcha" etj.
Sinqeritet
Pse produktet novatore kanë tërhequr aq shumë të rinj?
Shumë klientë të rregullt mund t'ju thonë: "Kur blejmë biskota në 'Wuyutai', jemi të sigurt." Këto biskota ruajnë në mënyrë të mrekullueshme shijet origjinale të çajit me lule dhe gjatë përgatisjes së tyre nuk përdoret assesi ndonjë përbërës i shtuar, antiseptik ose lëndë ngjyrosëse. Të gjitha produktet me "matcha" prodhohen me pluhur çaji të vërtetë.
Sinqeriteti për klientët ka qenë koncepti i zhvillimit të kompanisë "Wuyutai".
Në vitin 1887, Wu Xiqing, nga provinca Anhui e Kinës Jugore, krijoi "Wuyutai" në Pekin. Atëkohë, në Anhui kishte shumë lloje të famshme çaji, si çaji i kuq "Qimen", çaji i gjelbër "Tunlv" i Anhui-t, çaji i gjelbër "Maofeng" i Huangshan-it etj., por pekinasit e thjeshtë nuk i përballonin dot këto çajra të shtrenjta dhe pinin kryesisht çajin e luleve. Në përputhje me kërkesat e banorëve të thjeshtë, "Wuyutai" u orvat të prodhonte çaj me një raport të mirë cilësi-çmim, që u mirëprit nga masat dhe kështu "Wuyutai" u bërë gradualisht një dyqan i madh çaji.
Edhe pas mbi 100 vjetëve, "Wuyutai" ruan edhe sot këtë traditë të mirë, duke krijuar të mira për banorët e thjeshtë. Çmimi i një akulloreje çaji në "Wuyutai", me pluhur çaji origjinal, është vetëm 9 juanë (1.2 dollarë amerikanë), një çmim i arsyeshëm në krahasim me shumë akullore moderne. Pas kësaj akulloreje, "Wuyutai" prodhon gjithnjë e më shumë produkte novatore "me sinqeritet".
Filiali i kompanisë së çajit "Wuyutai" / foto nga CFP
Tradita
Pavarësisht nga këto produkte novatore, "Wuyutai" nuk heq dorë në asnjë mënyrë prej shërbimeve të saj tradicionale. Këto akullore, biskota a torta çaji gjenden vetëm në disa prej dyqaneve të saj dhe nuk prodhohen në sasi të madhe, as çdo ditë, ndërsa pjesa kryesore e produkteve në dyqanet "Wuyutai" janë ende lloje të ndryshme të çajit tradicional.
"Wuyutai" ka tërhequr të rinjtë me produkte novatore, por dëshiron që këta të rinj që vijnë në dyqanet e tij të kenë mundësi të shijojnë edhe ato produkte tradicionale dhe klasike.
Sipas Zhao Shuxin-it, 137-vjeçari "Wuyutai" është një markë e vjetër, por përshtatet edhe me të rinj.