Erion Veliaj (Foto RTSH)
Ndërtesa e rrënuar e ish-qendrës “Pëllumbat” në Tiranë së shpejti do të shndërrohet në qendrën më të madhe të kurimit, ndihmës dhe asistencës për fëmijët e spektrit autik. Nismën e ka bërë publike kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë një inspektimi në kopshtin “Ylberi”, të rikonstruktuar me kushte dhe standarde europiane, citon “RTSH”.
“Më vjen mirë që në të gjitha kopshtet dhe çerdhet e reja ne kemi krijuar hapësira të veçanta për fëmijët, sidomos të spektrit autik dhe me sindromën Down. Megjithatë, ne adresojmë në nivel mikro, kjo do të thotë se bëjmë një mikrotrajtim në kopshtet dhe çerdhet tona. Ndaj, kemi vendosur që ish-qendrën “Pëllumbat”, që i ka kaluar në pronësi Bashkisë së Tiranës, ta kthejmë në qendrën më të madhe të kurimit, të ndihmës dhe të asistencës për fëmijët e spektrit autik në Ballkan. Ashtu si Piramida është sot qendra më e madhe e kodimit, ashtu duam që edhe në aspektin social, Tirana të jetë qendra më e madhe të ndihmës për fëmijët e spektrit autik dhe atyre me sindromën Down”,- tha Veliaj.
Qëllimi kryesor i kësaj nisme është përmirësimi i cilësisë së jetës së fëmijëve me nevoja të veçanta. Krahas nismave të përqendruara tek aftësimi i fëmijëve dhe të rinjve drejt digjitalizimit, kryebashkiaku tha se synon që Tirana të kthehet edhe në qendër ekselence për të gjithë rajonin në adresimin e sfidave për fëmijët e spektrit autik. (Elona)