Turizmi, kontribut të rëndësishëm në rritjen e besimit në ekonomi
2024-09-12 10:42:10

turizmi (kultplus)

turizmi (kultplus)

Shqipëria ka pritur një shifër rekord të turistëve që kanë zgjedhur të udhëtojnë nëpërmjet Aeroportit  Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit. Janë 7.2  milionë pasagjerë që kanë ardhur në Shqipëri gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti. Shifrat janë publikuar edhe nga kreu i qeverisë Edi Rama në rrjetet sociale, ku ka  theksuar se shifrat tregojnë se  gjatë gushtit turistët janë rritur me 41%. Në një intervistë për mediat ekspertja e ekonomisë Erjola Hoxha thotë se efekti pozitiv është ndjerë në shumë drejtime.

“Bilanci pozitiv që sot është bërë me dije me rezultate zyrtare sigurisht që nuk është as i papritur dhe as rezultat që nuk është marketuar dhe bërë me dije nga qeveria shqiptare. Përpos kësaj, rezultatet në krahasim me vitin 2023 dhe me vitin 2022 duket që jo vetëm kanë qëndruar në të njëjtat nivele, por kanë kaluar dhe pritshmëritë për vitin 2024. Këto shifra sigurisht që përkthehen në shërbime në sektorin e turizmit, por gjithashtu edhe një kënaqësi meqë dhe vrojtimin e sotëm e kemi kënaqësinë e konsumatorit dhe të biznesit, ka të bëjë me shërbimet dhe standardet e larta që përkthehet në shifra relativisht disafish krahasuar me periudhat e mëparshme të sezonit turistik në Shqipëri. Është për t’u vlerësuar dhe sigurisht ngelen akoma sektorë prioritar si në shërbime ashtu edhe në sektorë të tjerë për t’u përmirësuar për sezonin e ardhshëm. Qëndrojmë në nivele më të larta falë një punë të ndërmarrë gjatë gjithë sezonit dhe gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm gjatë sezonit veror.”- u shpreh ekspertja Hoxha.

Pritshmëri pozitive ka edhe për në vijim pasi sezoni turistik edhe pse e ka kaluar kulmin, pritet të zgjasë edhe përtej pikut që ishin muajit korrik dhe gusht.

“Një nga sektorët e turizmit është dhe pjesë e vlerësimit dhe vrojtimit të biznesit, raportit që publikon çdo vit Banka e Shqipërisë dhe së fundmi për muajin gusht 2024, për sa i takon treguesve të ndjesisë ekonomike, të besimit në industri, treguesit në sektorin e ndërtimit, të besimit në shërbime apo dhe të treguesve të besimit në tregti, duket se kanë shënuar dhe shënjuar një trend pozitiv krahasuar me periudhën e një viti më parë. Gushti 2024 konkretisht për treguesit e ndjesisë ekonomike për të gjithë kategoritë e bizneseve dhe të konsumatorëve duket se ka rritur pritshmëritë e tyre për një vit akoma më të mirë në sektorin e tregtisë dhe me zhvillimet ekonomike që do të bëhen në vendin tonë. Ajo që vlen për tu theksuar është që pasur një rritje besimi në industri e konsumatorit, një tjetër tregues është treguesi i besimit në ndërtimit.”

Banka e Shqipërisë raportoi se në gusht Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) u rrit me 2.1 pikë krahasuar me një muaj më parë, i udhëhequr kryesisht nga optimizmi i ndërtuesve dhe bizneset e shërbimeve. Por jo të gjithë aktorët e ekonomisë kanë të njëjtin perceptim për situatën ekonomike.

Erjola Hoxha (RTSH)

Erjola Hoxha (RTSH)

“Pikërisht pas një stepje që kishte për disa muaj me radhë dhe kishte arritur domethënë 24 pikë pranë mesatares historike dhe pranë tani jemi pranë maksimumit historik. Vlerësimi pozitiv për aktivitetin e ndërtimit kryesisht ishte në këtë aktivitet për shkak të punësimit që ka shkaktuar por gjithsesi ajo që është theksuar vlen dhe që ne ta bëjmë me dije nga ky raport është që priten nga treguesit e besimit në sektorin e besimit që të ulen çmimet për metër katror të apartamenteve. Kjo është theksuar në çdo raport të BSH për sa i takon sektorit të ndërtimit në industri.”-tha ekspertja.

Treguesi i besimit në ndërtim u rrit me 5.1 pikë përqindje në muajin gusht.

“Të tjerë tregues janë ai i besimit në shërbime dhe  ai i besimit në tregti, që do të doja ti analizoja dhe ti krahasoja në mënyrë paralele me njëra-tjetrën sepse kanë lidhje direkte dhe indirekte. Shërbimet duket se nga sektori i turizmit kanë patur zhvillim në numrin e lartë të të punësuarve por nga ana tjetër ka patur dhe një stepje apo një tërheqje të këtyre të fundit për shkak të mungesës së burimeve njerëzore dhe pagave relativisht të larta që kërkonin. Tregues pozitiv është se në minimumin e tyre historik të dy treguesit për gushtin e vitit 2024 kanë patur një rritje relativisht të lartë.”

Sinjale pozitive jep edhe kosnumi dhe blerjet.

“Zhvillime ekonomike të qëndrueshme në të ardhmen në Shqipëri ka parashikuar ky raport. Për konsumatorët dhe për bizneset. Meqë ju po pyesni për konsumatorët kjo reflektohet edhe për shkak-pasojë të rritjes së nivelit të pagave mesatare në administratën shtetërore, që do të thotë të ardhura më të larta, që kanë hyrë në fuqi, defacto dhe dejuro që kanë hyrë në fuqi që prej korrikut të vitit 2024, duket se janë përkthyer dhe në më shumë shpenzime dhe jo vetëm për produkte kryesore të shportës apo dhe produkte që përbëjnë ato kryesoret e një familjeje, por dhe janë shpenzuar edhe për produkte luksi siç e theksuat ju për makina apo dhe blerje apartamenteve.”

Në intervistën për Abc News , ekspertja deklaron se rritja e pagave nga qeveria ka dhënë një shtysë për rritjen e konsumit.

ndertues (kapitali.al)

ndertues (kapitali.al)

“Sigurisht që ne i kemi analizuar dhe jo vetëm është shtysë, por është faktori kryesor që mund të nxisi konsumin e qytetarëve në ekonomi që do të thotë përkthehet në një ekonomi të qëndrueshme për të ardhmen në vendin tonë, se sigurisht që gjatë muajve të verës dhe këtij 3 mujori që po flasim të ardhurat kanë qenë relativisht të larta dhe kjo theksuar për shkak të prurjeve që ka sektori i turizmit, por duke marrë në analizë të gjithë faktorët e tjerë që ne cituam më lart, konsumatorët dhe bizneset janë shprehur pozitive për të ardhmen. Dhe një nga reflektimet që unë shikoj si faktor kryesor është rritja e nivelit të pagave që sigurisht nuk duhet të stopojë këtu por duhet të vazhdojë akoma më shumë por për të patur një nxitje akoma për konsum më të lartë tek qytetarët shqiptarë.”

Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë Industria, tregtia dhe konsumatorët kanë qenë  më pesimiste. Treguesi i besimit të industrisë (TBI) ra me 5 pikë përqindje në muajin gusht, i ndikuar nga vlerësimet jo optimiste për prodhimin aktual dhe për kontratat porositëse. Megjithatë, niveli i TBI-së qëndron 8.8 pikë përqindje mbi mesataren historike.Treguesi i besimit në tregti (TBT) u tkurr me 2.8 pikë përqindje në muajin gusht, i ndikuar kryesisht nga vlerësime jo optimiste mbi ecurinë aktuale të biznesit. Në të kundërt, bizneset e sektorit presin një rritje të porosive dhe të ecurisë së biznesit në të ardhmen e afërt.