Kryediplomacia palestineze: Masakra ndaj civilëve, pasojë e dështimit ndërkombëtar për të ndalur luftën
2024-09-12 16:07:58

Ministria palestineze e Punëve të Jashtme dënoi masakrën e kryer nga ushtria izraelite ndaj të zhvendosurve në tenda në rajonin Al-Mawasi, në qytetin Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës, duke e cilësuar atë pasojë të dështimit ndërkombëtar për të ndalur luftën.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Në një deklaratë me shkrim nga ministria thuhet: “Kjo masakër e tmerrshme është pjesë e një lufte gjenocidi dhe shpërnguljeje, një seri e pafund masakrash dhe është një politikë zyrtare izraelite që synon ta kthejë të gjithë Rripin e Gazës në një tokë të zbrazët të papërshtatshme për jetën njerëzore”, citon “ATSH”.

Po ashtu, në deklaratë thuhet se dështimi i komunitetit ndërkombëtar për të zbatuar vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë inkurajoi Izraelin të kryejë më shumë masakra kundër popullit palestinez. Sipas saj, armëpushimi i menjëhershëm është mënyra e vetme për mbrojtjen e popullit palestinez dhe kryerjen e shkëmbimit të pengjeve.

“Imuniteti dhe mbrojtja që vazhdon ndaj Izraelit dhe liderëve të tij u jep atyre më shumë kohë për të kryer format më të urryera të vrasjeve, spastrimit etnik dhe zhvendosjes kundër popullit palestinez”,- thuhet në deklaratë.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Të paktën 40 palestinezë u vranë në sulmin e ushtrisë izraelite ndaj personave të zhvendosur në tenda në Gaza.

Sipas informacioneve të marra nga dëshmitarët, avionët luftarakë izraelitë kryen 3 sulme me raketa ndaj tendave të personave të zhvendosur në rajonin Al-Mawasi, në perëndim të Khan Younis, i cili pretendohet të jetë i sigurt. (Elona)