Anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA - Zona e Përbashkët Europiane të Pagesave - shihet pozitivisht edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare që shprehen në mbështetje të Shqipërisë dhe rajonit për zhvillimet konkrete të bëra në drejtim të tregut europian të pagesave.
Foto nga VCG
Ledia Bregu, drejtoreshë e Sistemeve të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financës pranë Bankës së Shqipërisë mori pjesë në punimet dyditore të konferencës së 10-të “Tirana Connectivity Forum”, organizuar nga “Cooperation Development Institute” dhe mbështetur nga Ministria për Europën dhe Çështjet e Jashtme.
Në panelin “Single Market and SEE6 Regional Cooperation”, Bregu prezantoi rëndësinë dhe avantazhet e Shqipërisë dhe rajonit nga pjesëmarrja në Tregun Unik të Pagesave në Euro, për të cilin Shqipëria nëpërmjet Bankës së Shqipërisë ka aplikuar zyrtarisht në 12 qershor 2024, shkruan “ATSH”.
Pjesëmarrësit përfaqësues të institucioneve të ndryshme vendase dhe europiane shprehën mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe rajonit për zhvillimet konkrete të bëra në drejtim të tregut europian të pagesave dhe përforcuan avantazhet nga procesi i anëtarësimit në SEPA si një hap i rëndësishëm në rrugëtimin e anëtarësimit në BE. (Elona)