Transporti publik në Tiranë, Memaj: Duhet infrastrukturë e dedikuar dhe subvencione nga shteti
2024-09-11 15:41:07

Autobus (Foto ATSH)

Autobus (Foto ATSH)

Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, Dashnor Memaj, është shprehur se transporti publik ka përmirësime të ndjeshme në cilësi, por shton se ka ende problematika dhe mund të bëhet shumë më shumë për këtë kategori.

Në një intervistë për “RTSH 24”, Memaj e vuri theksin te infrastruktura e dedikuar për transportin publik, por edhe subvencionet nga shteti për kategoritë e caktuara, heqjen e akcizës së naftës dhe uljen e pragut të TVSH-së. Të gjitha këto, tha Memaj, nëse do të mundësoheshin do të siguronin një transport publik shumë më cilësor dhe më efektiv për qytetarët.

“Për transportin urban, korsitë e dedikuara dhe stacionet me tabela elektronike janë të nevojshme. Ka një projekt për tri linja që do të kenë korsi të dedikuara aty ku dhe mundësohet. Kjo do të siguronte një shërbim më të shpejtë dhe cilësor. Pjesa më e madhe e problematikave vijnë për shkak të mungesës së infrastrukturës. Ne mundohemi me aq mundësi financiare dhe mjete që janë të krijomë një shërbim cilësor dhe të shpejtë. Sigurisht që ka vend për më mirë”,- tha ai.

Lidhur me vendim e qeverisë për udhëtimin e pensionistëve falas në transportin publik nga 1 janari 2025, Memaj u shpreh se janë ende në bisedimet përfundimtare për mënyrën se si do të funksionojë dhe subvencionet që do të merren nga shteti.

“Çdo operator mirëpret paketat sociale të kategorive të veçanta. Ne kemi transportin e kategorive të caktuara dhe nuk marrim subvencion, edhe pse na takon. Masa për pensionistët mirëpritet, por jemi në pritje si do të jetë subvencionimi dhe çfarë kushtesh do të ketë”,- tha ai. (Elona)