Foto e Ministrisë së Jashtme të Kinës/CFP
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning bëri thirrje të martën që bashkëpunimi ndërkombëtar me Afrikën të jetë më i drejtë, më i barabartë dhe më praktik.
Duke iu përgjigjur në një konferencë të përditshme shtypi shqetësimeve dhe kritikave të disa gazetarëve për të ashtuquajturin "kurth të borxhit", Mao u shpreh: "Siç theksoi ministri i Jashtëm Wang Yi, për të qenë partner bashkëpunimi i Afrikës, duhet të bësh gjithmonë atë që është e drejtë dhe e barabartë për Afrikën, ta trajtosh Afrikën si të barabartë dhe të sjellësh përfitime konkrete për Afrikën. Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht vendeve të zhvilluara dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, të rritë përgjegjësinë e vet dhe të ndihmojë vendet afrikane të lehtësojnë barrën e borxhit dhe të arrijnë një zhvillim të qëndrueshëm.”
Forumi për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë (FOCAC) ka luajtur një rol kyç në promovimin e zhvillimit të Afrikës gjatë 24 vjetëve të fundit, duke përfshirë ndihmën për ndërtimin ose përmirësimin e afro 100 000 kilometrave rrugë, mbi 10 000 kilometrave hekurudha, afro një mijë urave dhe rreth njëqind porteve, tha Mao.
Duke vënë në dukje se kompanitë kineze kanë krijuar mbi 1.1 milion vende pune në Afrikë në tre vitet e fundit, ajo theksoi se këto përpjekje po e ndihmojnë Afrikën të kapërcejë pengesat e zhvillimit dhe të trajtojë rrënjësisht çështjet e borxhit.
Gjatë samitit, disa liderë afrikanë, duke përfshirë presidentin e Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa, deklaruan se investimet e Kinës në Afrikë përfaqësojnë bashkëpunim me dobi të ndërsjellë e nuk do ta shtyjnë Afrikën në "kurth borxhi".
Në fakt, Kina nuk ka qenë kurrë një kreditore e madhe për Afrikën. Sipas të dhënave nga Banka Botërore, 80 për qind e borxhit të jashtëm sovran të Afrikës është ndaj kreditorëve shumëpalësh e privatë, ndërsa borxhi dypalësh përbën vetëm një pjesë të vogël, vuri në dukje Mao.
"Megjithatë, Kina ka kontribuar aktivisht në lehtësimin e presionit ndaj Afrikës për shlyerjen e borxhit nëpërmjet kanaleve dypalëshe e shumëpalëshe dhe është kontribuuese kryesore në Nismën e Pezullimit të Shërbimit të Borxhit të G20-s."