Kryebashkiaku Veliaj: Nga shtatori 2025, ushqim falas për nxënësit në 100% të shkollave të kryeqytetit
2024-09-11 10:50:19

Erion Veliaj (Foto ATSH)

Erion Veliaj (Foto ATSH)

Duke nisur nga shtatori i vitit që vjen, Bashkia e Tiranës synon të integrojë paketën e ushqimit falas në 100% të shkollave të kryeqytetit, për t’iu siguruar fëmijëve të njëjtin fillim në shkollë.

Lajmin e bëri të ditur kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, shkruan “ATSH”.

“Ne duam që të planifikojmë që në shtatorin që vjen, pra jo këtë shtator, të përgatitemi një vit, që të ofrojmë ushqimin në të gjithë shkollat e Tiranës, për t’iu dhënë fëmijëve të njëjtin start. Ca familje janë më të pasura, ca nuk i kanë mundësitë, por kur vjen puna te kaloritë, vitaminat, çdo fëmijë duhet të ketë startin e barabartë në qytetin tonë. Sot jemi në kushtet kur bashkia mund ta bëjë këtë investim, ndërkohë që kur ishim në ditë më të vobekta nuk e kishim këtë mundësi. Shkolla-qendër komunitare do të transformohet në një plan për 100% të shkollave tona, për t’u siguruar që të fusim ushqimin e fëmijëve në shkolla”,- theksoi kreu i Bashkisë. (Elona)