Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj (Foto RTSH)
Punonjësit e Bashkisë së Tiranës, veçanërisht ata që kanë shërbyer për 20-30 vite, duke marrë parasysh vlerësimin e pensioneve dhe pagave me një formulë të re, do të kenë rritje rroge.
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Erion Veliaj njoftoi ndryshimet për të gjithë nëpunësit civil. Në këtë mënyrë, specialistët e bashkisë do të trajtohen njësoj si kolegët e tyre në ministri, ndërsa shefat e sektorëve do të kenë të njëjtin trajtim financiar si në administratën qendrore, bën të ditur “RTSH”.
Gjithashtu policëve bashkiakë dhe punonjësve mbështetës u jepet një shtesë për kushte pune mbi pagën bazë mujore të klasës përkatëse në masën 40 mijë lekë të vjetra në muaj. Pra, nga muaji tjetër policët bashkiakë dhe stafet mbështetëse do të marrin një shtesë page.
Kryebashkiaku Veliaj prezantoi gjithashtu një vendim që përmirëson pagat për njësitë administrative, pa dallime politike. Ky vendim përfshin gjithashtu rritjen e shpërblimit për ndërlidhësit me komunitetin, duke garantuar një trajtim më të mirë për ata që kryejnë funksione emergjente dhe të tjera.
Në fund, Veliaj dha lajmin për edukatoret e Bashkisë së Tiranës. Rroga bazë e edukatores propozohet të rritet nga 55.000 lekë aktualisht, në 58.000 lekë, duke reflektuar një përmirësim të rëndësishëm.
Për punonjësit mbështetës dhe specialiteteve të ndryshme, si pastruesit, hidraulikët dhe elektricistët, do të ketë gjithashtu një shtesë mujore prej 4000 lekësh, nga e cila përfitojnë mbi 5000 punonjës të Bashkisë. (Elona)