Ministrja gjermane (Foto Rtsh)
Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser, ka bërë të ditur se vendi do të shtrijë kontrollet e përkohshme në të gjithë kufijtë tokësorë, si përgjigje ndaj emigracionit të parregullt, për të mbrojtur vendin nga kërcënimet ekstremiste, shkruan “RTSH”.
Ajo theksoi se është njoftuar edhe BE-ja mbi urdhrin për vendosjen e kontrolleve në kufijtë tokësorë me Francën, Luksemburgun, Holandën, Belgjikën dhe Danimarkën për një periudhë prej gjashtë muajsh.
Kontrollet do të fillojnë më 16 shtator dhe janë vijim i kufizimeve tashmë të vendosura në kufijtë tokësorë të Gjermanisë me Poloninë, Republikën Çeke, Austrinë dhe Zvicrën.
“Ne po forcojmë sigurinë tonë të brendshme përmes veprimeve konkrete dhe po vazhdojmë qëndrimin tonë të ashpër kundër migrimit të parregullt”, tha Faeser.
Ministrja theksoi se derisa të arrihet mbrojtja e fortë e kufijve të jashtëm të BE-së me Sistemin e ri të Përbashkët Europian të Azilit, duhen rritur edhe më shumë kontrollet në kufijtë kombëtarë.
Masa vjen pas një sulmi vdekjeprurës me thikë në Soligen ku u vranë tre persona muajin e kaluar dhe pasi policia në Munih shkëmbeu zjarr me një person të armatosur pranë konsullatës izraelite javën e kaluar.
Gjithashtu, masat vijnë mes presionit politik në rritje ndaj qeverisë së koalicionit gjerman, pasi Alternativa e ekstremit të djathtë për Gjermaninë fitoi zgjedhjet shtetërore në Turingi këtë muaj. (Elona)