Kina synon forcimin e sistemit arsimor për t'u bërë një vend udhëheqës në arsim
2024-09-11 14:30:55

教育---[jiào yù]---Arsim

Diao Rongchun, mësuese e shkollës fillore në lokalitetin Taishitun të Pekinit, është e përkushtuar ndaj arsimit në zonat malore.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Duke iu përmbajtur konceptit të "tolerancës, butësisë, kultivimit dhe edukimit", Diao përdor një metodë mësimore të bazuar mbi ndërveprimin, vlerësimin reciprok e promovimin e ndërsjellë dhe i kushton vëmendje rritjes së çdo nxënësi.

Ajo ka udhëtuar në gjithë lokalitetin për të vizituar nxënësit në zonat malore që kanë të paktën një prind të punësuar në qytete të largëta, duke krijuar plane të veçanta studimi për ta e duke fituar besimin dhe mirënjohjen e prindërve të tyre.

Në prag të Ditës së 40-të të Mësuesve të Kinës më 10 shtator, në një ceremoni të dielën për të nderuar mësuesit shembullorë dhe institucionet e shquara arsimore, Diao ishte ndër 716 ata që morën titullin e mësuesit shembullor kombëtar.

Duke folur në një konferencë kombëtare mbi arsimin, të zhvilluar në Pekin nga e hëna deri të martën, presidenti kinez Xi Jinping uroi mësuesit dhe punonjësit e tjerë të sektorit arsimor në mbarë vendin me rastin e Ditës së Mësuesve, duke kërkuar më shumë përpjekje për të arritur përparim drejt objektivit strategjik për ta bërë Kinën një vend udhëheqës në arsim.

Ndërtimi i një sistemi arsimor cilësor

Foto nga VCG

Liderë kinezë takohen me mësuesit shembullorë, 9 shtator 2024, Pekin(Foto nga Xinhua)

Deri më sot, Kina ka krijuar sistemin më të madh arsimor në botë, duke hedhur një hap historik në nivelin e popullarizimit të arsimit.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2023, numri i shkollave të niveleve të ndryshme në mbarë vendin arriti në 498 300, me 291 milionë nxënës e studentë të regjistruar dhe 18. 918 milionë mësues e pedagogë me kohë të plotë.

Ndërkohë, kualifikimet akademike të mësuesve janë përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme. Në vitin 2023, 78 % e mësuesve të shkollave fillore dhe 93 % e mësuesve të shkollave të mesme të ciklit të ulët kishin një diplomë bachelor ose më lart. Përqindja e mësuesve me tituj të lartë profesionalë është rritur ndjeshëm.

Shkalla e ndjekjes së arsimit të lartë u rrit nga 30 % gjatë vitit 2012 deri në 57.8 % në vitin 2021. Shumë universitete dhe disiplina në Kinë kanë arritur një nivel të përparuar botëror.

Përveç këtyre, Kina i kushton rëndësi të njëjtë zhvillimit të koordinuar të arsimit profesional dhe arsimit të përgjithshëm, duke përshpejtuar krijimin e një sistemi arsimor profesional modern, për të ndihmuar të rinjtë me talente dhe interesa të ndryshëm të realizojnë potencialin e tyre.

Duke i cilësuar si komplekse dhe sistematike përpjekjet për të ndërtuar një sistem arsimor udhëheqës, Xi Jinping theksoi nevojën për t'u fokusuar në detyrën themelore të arsimit për të nxitur virtytin. Ai nxiti shtimin e punës për të kultivuar mësimdhënës të nivelit të lartë dhe theksoi rëndësinë e përmirësimit të statusit, pagës dhe mirëqenies së arsimtarëve, për ta bërë mësuesinë një nga profesionet më të respektuara.

Xi theksoi gjithashtu nevojën për të zhvilluar arsimin e detyrueshëm me cilësi të lartë e të ekuilibruar dhe për të pakësuar pabarazinë midis zonave urbane e rurale, mes rajoneve, mes shkollave dhe grupeve shoqërore.

Foto nga VCG

Studiues në një laborator të mikroçipave, Universitet i Nanchang-ut, provincë Jiangxi(Foto nga VCG)

Hapja e sektorit arsimor të Kinës ndaj botës

Në Kinë, shumë projekte të mëdha kombëtare mbështeten në teknologjitë kryesore të ofruara nga universitetet, të cilat luajnë rol vendimtar në kërkimin bazë dhe janë burimi i përparimeve të rëndësishme shkencore e teknologjike të vendit.

Në Konferencën Kombëtare të Çmimeve të Shkencës dhe Teknologjisë të vitit 2023, universitetet dhe kolegjet fituan përkatësisht 75.5 % të Çmimeve Shtetërore të Shkencave të Natyrës, 75.6 % të Çmimeve Shtetërore të Shpikjeve Teknologjike dhe 56.5 % të Çmimeve Shtetërore të Përparimit Shkencor e Teknologjik.

Përveç kësaj, Kina bashkëpunon në projekte të mëdha kërkimore shkencore me vende të tjera nëpërmjet krijimit të qendrave të bashkëpunimit shkencor dhe arsimor jashtë vendit për të përballuar sfidat globale.

Për shembull, Qendra e Përbashkët Kërkimore Kinë-Afrikë, e themeluar në vitin 2013, është institucioni i parë gjithëpërfshirës shkencor dhe arsimor i krijuar jashtë vendit nga Kina. Qendra bashkon institucione kërkimore shkencore e mësimore nga 16 vende afrikane dhe Kina për të bashkëpunuar në fusha si kërkimet dhe vlerësimet lidhur me biodiversitetin, burimet ujore dhe monitorimin e mjedisit ekologjik, duke krijuar një rrjet që integron kërkimin shkencor dhe trajnimin e talenteve.

Deri tani studiuesit e kësaj qendre kanë publikuar së bashku më shumë se 600 artikuj shkencorë, kanë mbajtur mbi 30 kurse trajnimi ndërkombëtare e sesione teknike dhe kanë trajnuar më shumë se 300 studentë nga 14 vende afrikane.

Kina gjithashtu ka organizuar konferenca të ndryshme ndërkombëtare, si Konferenca Botërore e Edukimit Digjital, ka krijuar punishte "Luban" në shumë vende dhe ka zgjeruar shkëmbimet ndërmjet të rinjve kinezë dhe të huaj.

Foto nga VCG

Kursantë në një punishte Luban, Dushanbe, Taxhikistan, prill 2023(Foto nga VCG)

Gjatë konferencës kombëtare për arsimin, presidenti kinez Xi Jinping vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e hapjes së mëtejshme të sektorit arsimor të Kinës ndaj botës së jashtme, duke përfshirë shtimin e shkëmbimeve akademike ndërkombëtare, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit në arsim dhe kërkimin shkencor.