Ministri i Financave, Petrit Malaj (Foto RTSH)
Sfidat me të cilat po përballet jo vetëm Shqipëria por të gjitha ekonomitë, për ministrin e Financave, Petrit Malaj, shtrojnë nevojën e rishikimit të skemës së pensioneve për të siguruar një skemë më të qëndrueshme e pensione më të larta.
Gjatë diskutimeve në komisione të ndryshimeve kuvendore për buxhetin e këtij viti, përmes një akti normativ, ministri Malaj u shpreh se po shikohen disa skema në bashkëpunim edhe me ekspertë ndërkombëtarë, shkruan “ATSH”.
Ministri Malaj bëri të ditur se rishikimi i buxhetit parashikon një rritje me rreth 27.3 miliardë lekë të të ardhurave buxhetore, nga të cilat të ardhurat nga Tatimet e Doganat rriten me 9.4 miliardë lekë, nga kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore rriten me 1.7 miliardë lekë, si dhe të ardhurat e njësive të vetëqeverisjes vendore do të rriten me 8 miliardë lekë.
Sipas ministrit Malaj, kjo paraqitje pozitive krijon besimin për vazhdimësi pozitive në të ardhurat e buxhetit në 5-mujorin e mbetur të vitit, duke krijuar mundësi për më tepër mbështetje sociale dhe investime. (Elona)