Turi i Korit Gjerman në Shqipëri, një eksplorim kulturor dhe muzikor
2024-09-11 10:38:38

Ndihma Humanitare në Pogradec nga Fondacioni Diakonia Albania ( foto personale)

Ndihma Humanitare në Pogradec nga Fondacioni Diakonia Albania ( foto personale)

Fondacioni Diakonia Albania është një organizatë jofitimprurëse e vendosur të ndihmojë njerëzit  në nevojë. Shkon pas në kohë nga viti 1992 kur themeluesit  CHW (Christlicher Hilfsverein Wismar e.V)  filloi transportet e para të ndihmave në Pogradec. Diakonia Albania, e themeluar në vitin 2012,  ndërmerr nga Pogradeci operacione humanitare, projekte sociale dhe ndihmon në përmirësimin e  kushteve arsimore si dhe strukturat e pushtetit vendor në rajon.

Projekte të ndryshme për të ndikuar dhe transformuar jetën e banorëve janë zhvilluar ndër vite. Ndër to "Qëndra per femije Diakonia" Bishnice, Pogradec (ne vijim)  Diakonia Albania në njesine administrative Velçan, fshati Bishnicë ka një Qëndër Sociale për  mbështetjen dhe shkollimin e fëmijëve nga familje me vёshtirёsi tё theksuara ekonomike dhe sociale.  Fëmijët vinë nga fshatra të thellë të kësaj komune si fshatrat Zgallë, Jollë dhe Shpellë. Në këto fshatra ka disa vite ku shkollat janë mbyllur plotësisht, duke mos pasur asnjë mundësi shkollimi për fëmijët .

Aurora Zeqo ( foto personale)

Aurora Zeqo ( foto personale)

CMG: Si punoni për fëmijët dhe komunitetin në nevojë?

Aurora Zeqo: Të punosh për fëmijët është një përvojë jashtëzakonisht e pasur dhe shpërblyese. Angazhimi ynë për të ndihmuar fëmijët dhe komunitetet në nevojë është më shumë se një punë, është një mision humanitar. Ne marrim shumë kënaqësi nga energjia dhe entuziazmi i fëmijëve, ndaj përkushtimi ynë është i thellë. Të ndihmosh fëmijët do të thotë të jesh aty për ta në çdo sfidë dhe të kontribuosh në rritjen e tyre të shëndetshme. Ne operojmë kryesisht në zonat rurale dhe është e mrekullueshme të shohësh si fëmijët lulëzojnë dhe përparojnë falë mbështetjes që ofrojmë. Falënderimet dhe mirënjohja e njerëzve janë shpërblime të mëdha që na nxisin të vazhdojmë.

CMG: Në Bishnicë të Pogradecit, keni një konvikt për fëmijë. Sa fëmijë keni atje?

Aurora Zeqo: Aktualisht kemi dymbëdhjetë fëmijë që ndjekin shkollën në këtë konvikt. Të gjitha shërbimet ofrohen falas për ta. Qëllimi ynë kryesor është të mbledhim fëmijët e fshatrave përreth dhe t'u ofrojmë mundësinë e arsimimit dhe zhvillimit në një ambient të sigurt dhe mbështetës. Kjo është një mundësi e vlefshme për ata që ndodhen në kushte më të vështira dhe që përndryshe mund të mos kishin qasje në arsim të cilësisë së lartë.

Kori Gjerman në Shqipëri ( foto personale)

Kori Gjerman në Shqipëri ( foto personale)

CMG: Turi i Korit Gjerman që vizitoi Shqipërinë është një tjetër projekt i suksesshëm. A mund të na tregoni më shumë rreth këtij eventi?

Aurora Zeqo: Ky ishte një tur i veçantë për një grup muzikor gjerman që zhvilloi një seri koncertesh në Shqipëri. Ansambli përbëhet nga 60 artistë, të cilët erdhën për të performuar dhe për të eksploruar kulturën shqiptare. Turi filloi në parkun 'Rinia' në Tiranë dhe përfundoi në Pogradec, përfshirë një vizitë në Lin dhe Bishnicë. Ky ishte një rast i shkëlqyer për ta për të njohur bukuritë dhe kulturën e Shqipërisë për herë të parë. Koncertet përfshinin muzikë nga filmat hollivudianë dhe u pritën shumë mirë nga publiku. Pas Pogradecit, ata mbajtën një tjetër koncert në Tiranë para se të ktheheshin në Gjermani.

CMG: Si u prit ky tur nga publiku shqiptar?

Aurora Zeqo: Turi i këtij kori ishte tepër i mirëpritur nga publiku. Performancat u pritën me ovacione të ngrohta dhe u vlerësuan shumë. Ky ishte një iniciativë e vullnetarizuar nga vetë artistët, që kishin dëshirë të preknin nga afër realitetin dhe kulturën shqiptare. Kjo e bëri ngjarjen edhe më të veçantë dhe emocionuese për të gjithë.

Kori Gjerman  ( foto personale)

Kori Gjerman  ( foto personale)

CMG: Cilat janë pyetjet më të shpeshta që artistët gjermanë bëjnë për Shqipërinë?

Aurora Zeqo: Artistët janë të mahnitur nga bukuritë natyrore të Pogradecit dhe veçanërisht nga zona historike dhe panoramat që ofron. Ata gjithashtu janë të impresionuar nga gatimet tradicionale shqiptare, të cilat i kanë shijuar gjatë vizitave të tyre.

CMG: A do të kthehen sërish këta artistë për të performuar në Shqipëri?

Aurora Zeqo: Po, ata janë shumë të kënaqur me përvojën e tyre dhe janë të gatshëm të kthehen në Shqipëri. Ata janë të interesuar për të ftuar edhe banda të tjera muzikore që t'u bashkohen dhe të kontribuojnë në promovimin e bukurive dhe kulturës shqiptare përmes artit të tyre.

CMG: Si u prit ky event në Pogradec?

Aurora Zeqo: Njoftimi për eventin shkaktoi një interes të madh dhe publiku në Pogradec tregoi një gatishmëri të lartë për të qenë prezent. Pogradeci është i njohur për vlerësimin e ngjarjeve muzikore dhe turistike dhe ne si organizatë kemi zhvilluar shumë projekte të tjera të rëndësishme në këtë qytet. Ky event nuk ishte ndryshe dhe u vlerësua shumë nga komuniteti dhe vizitorët.

Përgatiti: Megi Latifi

A Zeqo ( foto personale)

A Zeqo ( foto personale)