Të mbrosh të shkuarën për të ardhmen
2024-09-10 10:34:53

Foto nga China Daily

Foto nga China Daily

Liu Jiang, punonjësi i Qendrës së Shërbimit Kulturor të rrethit Nanlang në qytetin Zhongshan, në provincën Guangdong, ka prezantuar me krenari dhe gëzim për vizitorët harkun historik, i cili sapo është restauruar.

Baza dhe korniza e murit të harkut, i ndërtuar gjatë dinastisë Qing (1644-1911), është prej guri ranor të kuq.

Për shkak të erozionit të kohës, sipërfaqja e murit me tulla jeshile ishte mykur dhe nxirë, sipërfaqja e murit me gur ranor të kuq ishte gërryer dhe dëmtuar, ndërsa skulptura prej argjile në krye kishte parë gjithashtu ditë më të mira. Nuk ishte vetëm çështje estetike, por mbarte edhe rreziqe sigurie.

Për shkak të mungesës së fondeve dhe përvojës për mirëmbajtjen, u ngritën gardhe mbrojtëse prej çeliku inoks për të parandaluar vizitorët dhe këmbësorët të afroheshin shumë ose të preknin harkun.

Gjërat ndryshuan në vitin 2023, kur autoritetet e qytetit në provincën Guangdong vendosën të mbulonin plotësisht mirëmbajtjen për reliktet kulturore.

Qyteti në Zonën e Madhe të Gjirit Guangdong-Hong Kong-Makao caktoi një buxhet prej 5.46 milionë juanë (767.130 dollarë) për të riparuar reliktet e tij kulturore vitin e kaluar.

Po ashtu, u prezantua një metodë provuese e menaxhimit për fondet e subvencionit vjetor të mirëmbajtjes dhe caktua një fond vjetor i subvencionimit për mirëmbajtjen dhe riparimin e përditshëm të relikteve.

Vitin e kaluar, nëndistrikti Nanlang aplikoi me sukses për 41.000 juanë nga fondi vjetor i subvencionit të mirëmbajtjes së qytetit dhe në mars  riparoi me sukses harkun, duke ndjekur parimin e riparimit duke ruajtur identitetin.

Gardhet mbrojtëse prej çeliku inoks u hoqën, muri u pastrua dhe u mbush, si dhe sipërfaqja e pllakave dhe skulpturat prej balte gjithashtu u restauruan, tha Liu.

Restaurimi i harkut nuk është një përpjekje e izoluar.

Huang Junwei, pronar i një diaolou, një ndërtese banimi shumëkatëshe në stilin e kullës së vrojtimit, e vendosur në Zonën e Zhvillimit Industrial të Teknologjisë së Lartë të Zhongshan, thotë se parmakët në çatinë e godinës ishin shkëputur duke ekspozuar shufra çeliku. Struktura po shkërmoqej, duke rrezikuar kalimtarët.

“Departamenti i Menaxhimit të Relikteve Kulturore të zonës aplikoi për fondet e riparimit nga subvencionimi vjetor i mirëmbajtjes së qytetit për të ndihmuar në rregullimin e diaolout, mbrojtjen e relikteve dhe largimin e rrezikut të sigurisë”,- tha ai.

Sipas Liu-t, krijimi i fondit vjetor të subvencionimit të mirëmbajtjes tregoi se Zhongshan ka në fokus kryesisht mirëmbajtjen e përditshme dhe minimizimin e riparimeve sa më shumë që të jetë e mundur.

Pasi pavijoni përkujtimor Sun Yat-sen në fshatin Haoyong në nëndistriktin Nanlang u riparua me fondin vjetor të subvencionit të mirëmbajtjes së qytetit, ai tani është bërë një destinacion i preferuar për banorët e zonës, thotë Liu.

“Shumë fshatarë përshëndetën riparimet dhe mirëmbajtjen e relikteve kulturore të fshatit”,- tha Liu, duke shtuar se më parë ai ishte qortuar nga të moshuarit në fshat për dështimin në mbrojtjen e relikteve të fshatit kur ai mbërrinte në turne inspektimi.

Sipas Liu-t, me ndihmën e fondit vjetor të subvencionit të mirëmbajtjes së qytetit, qendra ku ai punon kishte përfunduar riparimet dhe mirëmbajtjen për më shumë se 100 relikte kulturore nën juridiksionin e saj, deri në fund të qershorit.

Wu Rongchao, drejtor i Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Zyrën e Kulturës, Transmetimit, Televizionit dhe Turizmit të Zhongshan, deklaroi se qyteti arriti mbulimin e plotë të sistemit vjetor të mirëmbajtjes për reliktet kulturore.

Sistemi u vlerësua si një nga 10 rastet më të mira të zhvillimit me cilësi të lartë të relikteve kulturore në vend në vitin 2023.

Reliktet kulturore të qytetit nuk janë vetëm të shumta, por edhe të shumëllojshme, duke mbuluar të gjitha kategoritë kryesore, si vendet e lashta kulturore, varret, arkitekturën, gdhendjet në gurë, tempujt, vendet e rëndësishme historike dhe ndërtesat përfaqësuese të kohëve moderne, thotë ai.

Zhongshan ka gjithsej 568 relikte kulturore që janë njohur dhe bërë publike, duke përfshirë tre relikte kulturore kryesore kombëtare dhe 24 kulturore provinciale, sipas Wu.

“Departamentet përkatëse kanë përfunduar deri më tani 184 projekte të riparimit dhe mirëmbajtjes ditore për reliktet kulturore të qytetit”,- tha Wu.

Sipas tij, qyteti ka ende një numër të madh të relikteve kulturore që nuk janë renditur ende si relikte kulturore që duhet të mbrohen, duke shkaktuar vështirësi në mbrojtjen e tyre.

“Shumë relikte kulturore paraqesin rreziqe sigurie, me infektimin nga termitet, rrjedhjet e ujit, muret e plasaritura, komponentët e dëmtuar të ndërtesës dhe tubacionet e vjetra të furnizimit me ujë. Nëse mirëmbajtja nuk mund të kryhet në kohë dhe riparimet shtyhen, duke rezultuar në më shumë dëmtime dhe nevojë për riparime të shumta, kjo jo vetëm që kërkon një investim të madh, por gjithashtu çon në humbjen e informacionit historik dhe dobësimin e autenticitetit të relikteve kulturore. Po ashtu, dhe vlera e relikteve kulturore nuk mund të përsëritet, pasi secili prej tyre ka vlerat e veta historike, shkencore dhe artistike”,- tha Wu.

Diaolou, që zakonisht ndërtoheshin në fund të dinastisë Qing deri në vitet 1930, ishin struktura që kombinonin stilet arkitekturore kineze dhe perëndimore, ndërsa sallat e paraardhësve kanë qenë gjithmonë vende tradicionale përkujtimore kulturore, duke demonstruar kulturën dhe zakonet tradicionale.

Pas zbatimit të sistemit vjetor të mirëmbajtjes së relikteve kulturore, statusi i ruajtjes së këtyre strukturave në qytet është përmirësuar ndjeshëm.

Long Mengjun, drejtor i Qendrës së Shërbimit Publicitar dhe Kulturor të Zonës së Zhvillimit Industrial të Teknologjisë së Lartë Torch, thotë se mbulimi i plotë i fondeve të subvencionimit vjetor të qytetit ka zgjidhur vështirësinë e pronarëve dhe kujdestarëve të pronave, të paaftë për të përballuar kostot e riparimit dhe mirëmbajtjes, si dhe ka maksimizuar ruajtjen dhe vazhdimësinë e autenticitetit dhe integritetit të relikteve kulturore.