Rama-Mitsotakis (Foto Balkanweb)
Duam marrëdhëniet më të mira të mundshme me të gjithë fqinjët tanë, edhe me Shqipërinë, deklaroi kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, ndërsa u pyet gjatë një komunikimi me gazetarët lidhur me marrëdhëniet me kryeministrin shqiptar Edi Rama, pas lirimit nga burgu të anëtarit të minoritetit grek në Shqipëri, Fredi Beleri, shkruan “RTSH”.
Çështja Beleri u kthye në mollë sherri mes Shqipërisë dhe Greqisë, pas arrestimit të tij dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit 2023, me akuzën e blerjes së votave. Ndonëse fitoi zgjedhjet, Beleri u dënua me 2 vite burg dhe u lirua pak javë para përfundimit të dënimit të tij prej dy vjetësh. Më parë ai u zgjodh si anëtar i Parlamentit Europian nën siglën e Partisë Demokracia e Re të kryeministrit grek.
Në konferencën për shtyp të mbajtur pas hapjes zyrtare të Panairit Ndërkombëtar në Selanik, Mitsotakis tha se dy vendet kanë kaluar një periudhë të vështirë në planin dypalësh, por që tashmë ka kaluar.
“Ne duam marrëdhënie të mira dhe kjo ndodh duke respektuar të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri. Çështja e të drejtave pronësore është ende aktuale dhe është një parakusht i domosdoshëm që vendi të ecë përpara në rrugën europiane. Me ndihmën edhe të Fredi Belerit në Parlamentin Europian, duam që të drejtat pronësore të bashkatdhetarëve tanë në Shqipëri të respektohen plotësisht”,- tha Mitsotakis. (Fatosi)