Provinca më jugore ishullore e Kinës, Hainan, është duke u rimëkëmbur nga pasojat e supertajfunit "Yagi", ndërsa punëtorët po rregullojnë objektet e dëmtuara dhe po largojnë ujërat që kanë përmbytur rrugët. Ndërkohë, aeroportet në qytetet Sanya dhe Haikou u rihapën.
Një ushtar po pret pemë të rrëzuara që bllokojnë rrugë, qytet Haikou, provincë Hunan, 8 shtator 2024(Foto nga VCG)
"Yagi", tajfuni më i fortë në vjeshtë në Kinë që nga viti 1949, e goditi ishullin Hainan të premten e kaluar, duke shkaktuar të paktën katër të vdekur dhe 95 të plagosur.
Ditët e fundit, zyrtarë qeveritarë, zjarrfikës, punonjës policie dhe qytetarë kanë punuar pa pushim për të rikthyer normalitetin në të gjithë ishullin.
"Më shumë se 300 vullnetarë anëtarë të Partisë u mobilizuan këtë mëngjes për të pastruar pemët e rrëzuara dhe për të larguar ujin nga rrugët e përmbytura," bëri të ditur të shtunën Chen Hong, një kuadër nga nëndistrikti Xiuying në Haikou, kryeqendër e provincës.
Mbrëmjen e së shtunës, tregjet, taksitë dhe autobusët rifilluan funksionimin në Haikou, ndërsa bizneset, fabrikat dhe kantieret e ndërtimit u lejuan të rihapen të dielën.
"Ne duam të ndihmojmë çdokënd që ka nevojë dhe nuk i kemi rritur çmimet asnjë qindarkë," u shpreh Zhou Chongsheng, pronar i një dyqani.
Pavarësisht këtyre përpjekjeve, 769 000 familje në Hainan kishin mbetur pa energji deri të dielën mbrëma. Ndërkaq, më shumë se 10 000 punëtorë nga Guangdong-u, Guizhou e Guangxi janë dërguar për të dhënë ndihmë. Mungesa e ujit vazhdoi të prekë 63 000 banorë në Haikou, dhe shërbimet e telekomunikacionit në të gjithë provincën pritet të normalizohen deri të martën.
Nxënësit në rrugë drejt shkollave fillore, 9 shtator 2024, qyteti Haikou, provincë Hainan(Foto nga VCG)
Shkollat janë prekur gjithashtu rëndë. 2 085 shkolla kanë mbetur pa ujë ose pa energji elektrike në të gjithë provincën. Autoritetet vendore synojnë të rihapin mbi 80 % të shkollave deri të hënën. Ndërsa rihapja e shkollave që kanë pësuar dëmet më të rënda do të shtyhet, tha Chen Zhenhua, nëndrejtori i departamentit të arsimit të kësaj province.
Përpjekjet për pastrimin e mbeturinave dhe rivënien në funksionim të infrastrukturës po ashtu janë duke vazhduar. Në një kopsht fëmijësh në qytetin Haikou, drejtori Ding Ying mblodhi edukatorët dhe vullnetarët vendas për të pastruar pemët e rrëzuara dhe për të përgatitur këndin e lojërave për kthimin e fëmijëve.
"Ne planifikojmë t'i bëjmë trungjet e pemëve stola të vegjël për fëmijët," tha Ding.
Në sfondin e shkatërrimit, ka edhe disa lajme të mira: 247 të ashtuquajtura "foshnja tajfun" të shëndetshëm lindën në Haikou gjatë javës së kaluar. Që nga 3 shtatori, provinca Hainan ka vënë në funksionim objekte të posaçme për kujdesin mëmësor, për të garantuar lindje të sigurta. Vetëm në Haikou, afro 900 nëna shtatzëna u trajtuan falas në spital.
"Pushteti vendor ka bërë përgatitje të plota," tha Ye Baoquan, sekretari i Partisë i fshatit Pulong të qytetit Wenchang. "Strehimet janë të pajisura me furnizime emergjente, si shtretër të palosshëm, ushqim, gjeneratorë dhe xhaketa shpëtimi. Ekipet e shpëtimit ishin në gatishmëri, gjë që i ndihmoi të gjithë të ndiheshin më të sigurt."
Pushteti vendor i provincës Hainan dërgoi 18 zyrtarë të lartë për të mbikëqyrur përpjekjet e reagimit emergjent, duke evakuuar mbi 460 000 banorë dhe duke kthyer më shumë se 34 000 barka peshkimi në porte.
Shitësit po ngarkojnë lakra, 9 shtator 2024, qyteti Haikou, provincë Hainan(Foto nga VCG)
Në Kinë, anëtarët e PKK-së janë shpesh në vijën e parë të punës së ndihmës e të shpëtimit, duke dhënë shembullin e tyre, veçanërisht gjatë krizave, si fatkeqësitë natyrore etj.
Në vitin 2014, supertajfuni "Rammasun" shkaktoi dëme të shumta në Hainan. Por "Yagi" e ka tejkaluar atë si në intensitet, ashtu edhe në kohëzgjatjen e ndikimit.
Sektorët e bujqësisë, blegtoisë dhe peshkimit pësuan afro 11.95 miliardë juanë (rreth 1.68 miliardë dollarë) humbje pas supertajfunit "Yagi". Shtatë ekipe ndihme janë dërguar në zonat më të goditura për të dhënë udhëzime pas fatkeqësisë.
Cao Shuyu, zëvendësdrejtor i Departamentit të Financave të provincës Hainan, tha se rreth 1.19 miliardë juanë janë caktuar për lehtësimin e pasojave dhe rindërtimin pas fatkeqësisë.
Peshkatarët kanë filluar të pastrojnë varkat e tyre dhe banorët e evakuuar po kthehen në shtëpi.
"Ne bëmë përgatitjet e nevojshme për minimizuar humbjet," tha Wang Youchun, një peshkatar nga Haikou. "Tani ne të gjithë po punojmë së bashku për t'u përgatitur për lundrimin e ardhshëm në det."