Shkodra (Foto Atsh)
Parku Arkeologjik në Shkodër priti 108.037 vizitorë që eksploruan thesaret e lashta që mbart ky vend, plot histori dhe rrëfenja, shkruan “ATSH”.
Ky numër i lartë vizitorësh u regjistrua për periudhën janar-gusht 2024 dhe rezulton të jetë 25% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Parku Arkeologjik Shkodër ka një sipërfaqe prej rreth 70 ha. Kalaja e Rozafës, me një sipërfaqe prej 3.6 ha dhe një perimetër muresh rrethues prej 881 m, është objekti më i rëndësishëm i Parkut. Ajo dominon mbi një kodër shkëmbore ndërmjet lumenjve Drin dhe Buna, në hyrjen juglindore të qytetit të Shkodrës.
Kalaja kishte një rol të rëndësishëm si qendër e fortifikuar ilire gjatë periudhës së mbretit ilir Genti në mesin e shekullit II p.e.s. (Fatosi)