Raporti i OBT: Tensionet gjeopolitike, revolucioni dixhital dhe ndryshimet klimatike kanë riformësuar zhvillimin
2024-09-10 17:33:20

foto nga CFP

foto nga CFP

Tensionet gjeopolitike, revolucioni dixhital dhe ndryshimet klimatike po riformësojnë peizazhin e zhvillimit, të udhëhequr nga tregtia, tha Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) në një raport të publikuar të hënën. 

Në edicionin e vitit 2024 të "Raportit të Tregtisë Botërore", OBT vlerësoi se faktorët globalë si tensionet gjeopolitike, konfliktet rajonale dhe sanksionet tregtare, kanë ndikuar në qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike botërore në 30 vitet e fundit, duke sjellë potencialisht fragmentimin e tregtisë.

foto nga Xinhua

Drejtorja e Përgjithshme e OBT-së Ngozi Okonjo-Iweala mbajti një fjalim gjatë edicionit të 12-të të Tryezës së Rrumbullakët mbi Anëtarësimin e Kinës në OBT, të mbajtur në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe, më 25 shkurt 2024 / foto nga Xinhua

Nga ana tjetër, rritja e kapitalit dhe e aftësive të prodhimit modern, ka reduktuar hapësirën për rritjen të udhëhequr nga prodhimi në ekonomitë me të ardhura të ulëta. Ndërkohë, ndryshimet klimatike paraqesin sfida edhe më të mëdha, veçanërisht për këto kombe. 

Megjithatë, raporti theksoi edhe mundësitë e reja të sjella nga këto tendenca globale. Për shembull, ekonomitë në zhvillim mund të ulin kostot tregtare përmes dixhitalizimit, të përqendrohen drejt rritjes së udhëhequr nga shërbimet ose të shtojnë kërkesat për burime të rinovueshme në transformimin e gjelbër global për të arritur zhvillimin.

Raporti paraqiti prova të forta se tregtia ka luajtur një rol vendimtar në ngushtimin e pabarazive të të ardhurave midis ekonomive, që nga themelimi i OBT-së 30 vjet më parë.

"Ndoshta përfundimi më i madh i raportit, është riafirmimi i rolit transformues të tregtisë në uljen e varfërisë dhe krijimin e prosperitetit të përbashkët," tha drejtoresha e përgjithshme e OBT-së Ngozi Okonjo-Iweala, në parathënien e saj të raportit.

“Por përfundimi i dytë më i madh është fakti se ne mund të bëjmë shumë më tepër, për ta bërë tregtinë dhe OBT-në të funksionojë më mirë për ekonomitë dhe njerëzit e lënë pas dore gjatë 30 viteve të fundit të globalizimit”, shtoi ajo. 

foto nga Xinhua

Edicioni i 135-të i Panairit Kantonez më 16 prill 2024/ foto nga Xinhua

Raporti vuri në dukje se midis 1996 dhe 2021, një pjesë e lartë tregtare e PBB-së lidhej fort me rritjen më të shpejtë në ekonomitë me të ardhura të ulëta dhe të mesme, duke i ndihmuar ata të ngushtojnë hendekun në PBB për frymë, në krahasim me ekonomitë me të ardhura të larta.

OBT theksoi nevojën për politika të brendshme mbështetëse si trajnimi profesional, përfitimet e papunësisë, arsimimi për një fuqi punëtore më të aftë dhe të lëvizshme, si edhe politikat e konkurrencës për të siguruar që konsumatorët të përfitojnë nga çmimet më të ulëta dhe nga infrastruktura e besueshme e tregjeve financiare. 

OBT kërkoi uljen e kostove të tregtisë, tejkalimin e ndarjes dixhitale dhe përditësimet e rregulloreve, për të marrë parasysh rëndësinë në rritje të tregtisë në shërbime, sektorët dixhitalë dhe të gjelbër.

Raporti gjithashtu bën thirrje për një koordinim më të mirë midis organizatave ndërkombëtare, pasi kjo mund të ndihmojë në rritjen e sinergjive midis politikave tregtare dhe politikave plotësuese, si edhe të nxisë gjjithëpërfshirjen brenda ekonomive. (Elona)