Rëndësia e Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Trafikut
2024-09-10 11:07:38

Monitorimi i trafikut (Foto Gazeta Panorama)

Monitorimi i trafikut (Foto Gazeta Panorama)

Në janar 2025, do të jetë funksionale Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut. Shqipëria është bërë pjesë e korridoreve kryesore paneuropiane, si Korridori Blu dhe Korridori i 8-të.

Duke qenë pjesë e akseve të rëndësishme rrugore evropiane, rrugët kryesore të Shqipërisë duhet të garantojnë sigurinë më të lartë të mundshme, në rradhë të parë për jetën e qytetarëve tanë udhëtues.

Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut do të mundësojë mbledhjen dhe shkëmbimin e informacionit elektronik në kohë reale, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe menaxhimit të trafikut në përgjithësi. 

Ajo përfaqëson një strukturë koordinuese ndërinstitucionale, e cila ka për detyrë organizimin, planifikimin dhe drejtimin e kontrollit rrugor dhe rritjen e sigurisë rrugore, nëpërmjet mbledhjes, përpunimit, ruajtjes, shpërndarjes dhe përdorimit të të dhënave të transportit rrugor, në përputhje me legjislacionin vendas dhe atë ndërkombëtar.

Me këtë Qendër, Shqipëria integrohet edhe më shumë me rrjetin rrugor dhe transportin evropian, sidomos rrjetin rrugor të shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian.

Në mesin e shkurtit 2020, 80 ministra nga vende të ndryshime të botës, mes tyre dhe Shqipëria, miratuan Deklaratën e Stokholmit për Sigurinë Rrugore Botërore, duke u angazhuar për zbatimin e saj.

Shqipëria ndërmori angazhimin për zbatimin e planit të masave të parashtruara në Deklaratë, për të rritur investimet në infrastrukturë dhe zbatimin e metodave inovative të evidentuara në praktikat më të mira ndërkombëtare, me qëllim përmirësimin e sigurisë rrugore, parandalimin e aksidenteve dhe reduktimin e numrit të fataliteteve, si pasojë e tyre.

Ministrja Belinda Balluku duke inspektuar Qendrën (Foto CNA)

Ministrja Belinda Balluku duke inspektuar Qendrën (Foto CNA)

ZvKryeministrja dhe Ministrja e Infrastruktures dhe Energjise Belinda Balluku, e pranishme ne perfundimin e ndertimit fizik te mjediseve te Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Trafikut, theksoi se “Sot jemi në hapat e fundit të dorëzimit të ndërtesës së një prej projekteve më të rëndësishme inovatore që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur prej disa kohësh. Bëhet fjalë për Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Trafikut, një bërthamël e re, e cila do të përfshijë brenda saj katër nga ministritë kryesore, me agjencitë përkatëse, që ndikojnë në trafikun rrugor shqiptar, por edhe në disa komponentë të tjerë, të cilët sigurisht kanë të bëjnë me sigurinë rrugore.

Bëhet fjalë për një Qendër model, një Qendër moderne, e cila do të kontrollojë trafikun në akset kombëtare. Nisim me 200 kilometrat e parë dhe bëhet fjalë për akset më të rëndësishme.

Kjo Qendër do të kryejë dhe një rol të rëndësishëm përsa i përket sigurisë kombëtare. Ndër stafet që do të jenë në këtë ndërtesë është ajo e Policisë Rrugore, por edhe stafi i Policisë së Shtetit.

Duke qenë se informacionet që prodhohen nga kamerat e trafikut rrugor mund të jenë edhe iluminuese për rastet kriminale dhe për problematika të tjera, ky fakt është shumë i rëndësishëm. Ky projekt, që ka të bëjë me menaxhimin e trafikut në akset kombëtare, do të ndërthuret me një tjetër projekt themelor për qeverinë shqiptare, që ka të bëjë me monitorimin e të gjithë pjesës tjetër të Republikës.

Bëhet fjalë për projektin që Ministria e Brendshme e ka bërë tashmë publik dhe që quhet projekti “Smart Cities(Qytete të zgjuara”). Janë kamera inteligjente, të cilat vendosen në territor, për patrullimin civil, por edhe për të dhënë informacione të dobishme për sigurinë kombëtare, për uljen e kriminalitetit dhe për problematikat e tjera që kemi në zonat përreth shkollave”.

Është e domosdoshme që akset tona kryesore rrugore të ofrojnë të njëjtat standarde sigurie të rrugëve të Bashkimit Evropian. Në këtë drejtim, Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut paraqitet thelbësore.

Ajo është një strukturë moderne me katër kate, e shtrirë në një sipërfaqe prej rreth 1,500 m2 mbi tokë, ndërsa 500 m2 të tjerë janë ndërtuar nën tokë, ku janë vendosur serverat dhe materialet e tjera elektronike dhe teknike.

Në Qendër po kryhen punimet e fundit për instalimin e sistemeve kompjuterike, përmes së cilave do të kryhet monitorimi 24 orë në 7 ditë të javës i disa prej akseve rrugore kryesore të vendit. Qendra do të ketë në total 200 punonjës nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, Policia Rrugore, Urgjenca Kombëtare dhe Mbrojtja Civile. Këta punonjës do të vëzhgojnë trafikun në disa prej akseve kryesore rrugore, ku do të vendosen kamera inteligjente dhe radarë.

Qendra do të monitorojë fillimisht akset Tiranë-Durrës, Tiranë-Elbasan, Durrës-Rrogozhinë, Rrogozhinë-Fier, By Pass-in  e Fierit dhe Levan-Vlorë, në 200 km e para, me një total prej 150 kamerash inteligjente. Në fokus të monitorimit do të jenë edhe radarët nga Policia e Shtetit. Për herë të parë aplikohen sensorët e peshës, për rrugët të cilat kanë limit të përcaktuar sipas ligjit.

Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut (Foto Gazeta Panorma)

Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut (Foto Gazeta Panorma)

Deri më sot, ndërhyrjet e bëra në akset tona kryesore rrugore, për eliminimin e pikave të zeza në akset rrugore, përmes projektit për “Mirëmbajtje dhe Siguri Rrugore”, në bashkëpunim me Bankën Botërore, kanë përbërë një element të rëndësishëm, që ka ndikuar në rritjen e sigurisë rrugore në vend.

Me shumë rëndësi është parë në Qendrën e Monitorimit të Trafikut edhe investimi në monitorë të mëdhenj në rrugë, të cilët do të orientojnë trafikun në akse me qarkullim më të ulët. Puna do të nisë shumë shpejt me mbikqyrjen e 200 kilometrave të para sipas akseve rrugore të lartpërmendura, për të kaluar gradualisht në monitorimin e 3 mijë e 600 km rrugë kombëtare.

Qendra e Monitorimit të Trafikut do t’i shërbejë jo vetëm sigurisë rrugore, por edhe sigurisë kombëtare. Zbatimi i projektit për Qendrën ndihmon që korridoret kryesore të transportit të Shqipërisë të bëhen pjesë e një sistemi të sigurtë, të integruar dhe multimodal të transportit ndërevropian.