Ministri Gonxhja: Programi i Garancisë Rinore, mbështetje për tregun e punës
2024-09-08 15:35:38

Ministri Gonxhja (Foto Tiranadiplomat)

Ministri Gonxhja (Foto Tiranadiplomat)

Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se vijon faza pilot për programin e Garancisë Rinore, e cila mbështet të rinjtë për t’u futur në tregun e punës, një qasje e re e Bashkimit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor, shkruan “ATSH”.

Ministri theksoi se çdo i ri deri në 29 vjeç që jeton në Tiranë, Vlorë apo Shkodër dhe nuk është i punësuar, nuk është duke ndjekur arsim, apo kurs formimi profesional, mund të bëhet pjesë e fazës pilot të zbatimit të Garancisë Rinore në Shqipëri, duke aplikuar në portalin e-Albania, në shërbimin “Aplikim për Garancinë Rinore”.

Garancia Rinore synon sigurimin e një oferte cilësore punësimi, arsimi apo formimi profesional brenda 4 muajve.

Garancia Rinore është një program që po zbatohet me mbështetjen e Bashkimit Europian, me synim integrimin e rinjve në tregun e punës dhe fillimisht do pilotohet në tri bashki të vendit: Tiranë, Shkodër dhe Vlorë.

Përmes saj synohet të mbështeten në total rreth 18 mijë të rinj. (Irma)