Ministri Mazniku (Foto Atsh)
Ministria e Shtetit për Pushtetin Vendor dhe Universiteti i Tiranës nënshkruan një marrëveshje që do t’u vijë në ndihmë studentëve për të kryer praktikat mësimore nëpër bashkitë e vendit.
Universiteti i Tiranës do të ndihmojë me punë kërkimore për çështje që prekin jetën sociale të vendit, duke vënë në dispozicion burimet e tij njerëzore dhe materiale, shkruan “ATSH”.
“Marrëveshja me Universitetin e Tiranës do t’u vijë në ndihmë studentëve për të kryer praktikat mësimore nëpër bashkitë e vendit. Ata do të jenë më të familjarizuar me punët e përditshme të njësive vendore. Njëkohësisht, resurset e Universitetit do të ndihmojnë qeverinë me studime për fusha të ndryshme sociale”,- deklaroi ministri Arbjan Mazniku.
Në bazë të marrëveshjes, Universiteti i Tiranës do të caktojë studentët që do të duan të bëjnë praktikat e tyre mësimore nëpër njësitë vendore.
Bashkitë do të caktojnë kuotat për studentët që duan të bëjnë praktikat mësimore ose intershipet pranë tyre dhe do të mbulojë kostot e qëndrimit të tyre. (Irma)