Grupi muzikor “Djemtë e Detit” përgjatë dy dekadave ka krijuar këngë hite është fitues i disa çmimeve në festivale, duke fituar zemrat e publikut. Në vitin 1997 grupi krijoi albumin “Izolimi vdes”, i cili pati mjaft sukses. Albumi i dytë “Epos” është një ndër albumet më profesionale të realizuara nga një grup rroku në Shqipëri. Është një album ku teknika, melodia, zëri dhe koncepti kurorëzohen në maksimum. Pas një shkëputje disa vjeçare, pas ndarjes nga jeta disa vite më parë e solistit Gentjan Demaliaj, në vitin 2015, grupi ndaloi aktivitetine tij. Por fundviti 2022 risolli grupin “Djemtë e Detit” pranë publikut, me këngën "Për një lot", duke vijuar këtë verë me këngën e re "Simfonia e shpirtit", e shoqëruar me videoklip. Në intervistë për Radio Ejani, kompozitori dhe solisti i grupit Valentin Markvukaj flet për këngën e re, por edhe planet e shumta që e presin me grupin "Djemtë e Detit".
Valentin Markvukaj në intervistë për Radio Ejani
CMG: Këtë verë ju promovuat këngën e re me videoklip “Simfonia e shpirtit”. Flasim rreth kësaj kënge
Valentin Markvukaj: Kjo është një baladë, një këngë dashurie e trishtë, por ka reflektimin e asaj gjendjeje emocionale, një kontradiktë të asaj gjendjeje momentale që gjithkush e ka, një miks mes një ndjenje dashuria apo dhe një ndjenje tjetër emocionale, pra është një emocion i përgjithshëm. Ashtu siç reflektohet në tekstin e Alfons Zenelajt, fjalët e të cilit janë të fuqishme e të thella, shumë konceptuale, por nga ana tjetër dhe të prekshme nga masa. Ai ka një talent të veçantë për ta muzikuar tekstin, në këtë rast frazat dhe fjalët janë mjaft të goditura, bashkangjitur në mënyrë perfekte me muzikën, është kjo e përbashkëta që ne kemi gjetur nga ana profesionale.
CMG: E the shumë bukur, “E ka muzikuar tekstin”. Ka ardhur më parë teksti e më pas muzika apo anasjelltas?
Valentin Markvukaj: Qëndrojnë të dyja mënyrat për të kompozuar, por në këtë rast kam shkruar unë muzikën dhe ja kam dërguar Alfonsit për të shkruar tekstin, i cili e ka muzikuar dhe ka një talent të rrallë. Siç e dimë, ka shumë poetë të mëdhenj që nuk shkruajnë tekste këngësh, siç ka dhe shumë tekstshkrues që nuk shkruajnë poezi, por Alfonsi i ka të treja.
Valentin Markvukaj gjatë xhirimeve në anije (Foto nga facebook)
CMG: Ne kemi Simfoninë e Bethovenit, Simfoninë e Mozartit, tani kemi edhe “Simfoninë e shpirtit” nga “Djemtë e Detit”. Për realizimin e kësaj kënge, ke patur parasysh këto simfoni, për t’i dhënë madhështi kësaj kënge?
Valentin Markvukaj: Ne kemi studiuar muzikë klasike, si unë, Flamuri, Shkëlqimi, por edhe Ergysi që është tastjeristi i ri. Të gjithë kemi studiuar muzikën klasike dhe kjo vjen natyrshëm tek ne, si muzika klasike ashtu edhe rroku të cilat shkojnë paralel për ne. Simfonia, referuar nga muzika klasike, është një term i madh me shumë plane, në këtë rast i bashkangjitet dhe shpirti, që në fakt janë disa momente të jetës që bëhen bashkë, varet nga momenti se si ndjehesh, është “Simfonia e shpirtit”. Kënga vjen me harqe në fillim, pak simfonike, por edhe si stil e ka simfoninë rrok që ne pëlqejmë.
CMG: Ju jeni “Djemtë e detit” dhe videklipi i këngës është realizuar në mes të detit në anije. Si ishin për ju xhirimet në det?
Valentin Markvukaj: Ishte shumë bukur që për ne si “Djemtë e Detit” të xhironim diçka të bukur të det. Videoklipi është epik realizuar në anije, por muzika së pari ka rëndësi që të dëgjohet më shumë se sa të shihet. Ka qenë një produksion i komplikuar, i rrezikshëm në sensin teknik, por gjithsesi ja ka vlejtur. Është diçka që nuk besoj se është bërë më parë në Shqipëri, xhirime në një anije të madhe në mes të detit. Ne këtë ide e kemi patur që me Gentian Demaliajn dhe pasi Genti u sëmur, kjo ide mbeti pa u realizuar dhe e kemi kryer këtë vit.
Valentin Markvukaj dhe Gentjan Demaliaj (Foto nga facebook)
CMG: Besoj se Genti duhet të jetë i kënaqur, ndërsa ju vijoni rrugëtimin e grupit.
Valentin Markvukaj: Patjetër, as e ve në dyshim. Ne do të krijojmë edhe hite e këngë të bukura, por Genti do të mbetet gjithmonë në zemrën time, por edhe në zemrën e gjithë pjesëtarëve të grupit, siç është edhe në zemrën e gjithë publikut shqiptar. Gentjan Demaliaj edhe pse ka ikur nga kjo jetë ka lënë zërin e mrekullueshëm, ka lënë ato këngë që ne kemi bërë bashkë, të cilat vazhdojnë të këndohen në gjithë Shqipërinë. Këto dy vitet e fundit unë kam më shumë kontakt me Shqipërinë dhe vazhdoj t’i dëgjoj ende ato këngë. Edhe pse ai nuk është fizikisht me ne është i pranishëm me zërin e tij.
CMG: Në vazhdim do keni këngë të kësaj natyre apo do të jenë edhe më rrok?
Valentin Markvukaj: Do të kemi edhe këngë të tjera, të cilat do të jenë shumë rrok, por edhe hard rrok më shumë se edhe albumi “Epos”. Duke qenë se u bë 10 vjet që nga albumi “Epos”, patjetër që do të jemi edhe më lart profesionalisht se ai album, si nga ana konceptuale dhe ajo teknike. Shpresoj që profesionalizmi që ne krijomë, të vlerësohet edhe nga publiku.
CMG: Në momentin e krijimit të një kënge, e ke idenë se deri ku do shkojë ajo?
Valentin Markvukaj me Djemtë e Detit gjatë xhirimeve në anije (Foto nga facebook)
Valentin Markvukaj: Në krijimin e melodisë patjetër që e kam vizionin, si kompozim e kam shumë të qartë idenë që në fillim se deri ku do të shkojë, patjetër që janë edhe elementë të vokalit, instrumentale që shtohen rrugës, etj.
CMG: Ti ke krijuar edhe shumë këngë të tjera që pret t’i publikosh, por çfarë të frymëzon më tepër?
Valentin Markvukaj: Të kompozosh ka disa mënyra, por frymëzimi mund të vijë nga 101 mijë shkëndija të ndryshme, nuk ka një formulë perfekte, apo absolute. Mund të jetë një tingull që të ngacmon, një fjalë, një gjendje, mund të jetë një histori, mund të jetë natyra, një ëndërr, etj. Mua më ka qëlluar që kam shkruar këngë në ëndrra dhe kur jam zgjuar e kam regjistruar, tani edhe falë teknologjisë. Ndjesitë janë të ndryshme, por ndjehesh këndshëm kur krijon diçka të re.
CMG: Këtë herë “Djemtë e Detit” vijnë me anëtarë të rinj.
Valentin Markvukaj: Grupit i është bashkangjitur një muzikant shumë i talentuar, tastieristi Ergys Abdyl Konti, ka harmoni të mirë me grupin dhe kjo është e rëndësishme. Në kitarë është Flamuri, në bass Shkëlqim Meta që kanë qenë pjesë e grupit. Por gjithashtu kemi edhe Pajën, një baterist shumë rrok dhe besoj se do të kemi shumë gjëra të bukura përpara.
CMG: Cilat janë planet e grupit “Djemtë e Detit” në vazhdim?
Valentin Markvukaj me Djemtë e Detit në Tvsh (Foto nga facebook)
Valentin Markvukaj: Ne jemi duke punuar për albumin e tretë. Kemi dëshirë që këtë projekt artistik, ta shijojmë ne në rradhë të pare, më pas edhe publiku. Kemi dëshirë që të realizojmë gjithashtu edhe një turne live nëpër Shqipëri.
CMG: Jeton në Australi ku realizon muzikë, por cila është kënaqësia jote më e madhe, kur shkruan këngë për producentët e huaj, apo kur shkruan këngë për publikun shqiptar?
Valentin Markvukaj: Shumë pyetje insteresante, por mund të them se është pak e çuditshme me mua. Kam 28 vjet që jam larguar nga Shqipëria dhe prej 25 vjetësh jetoj në Australi dhe jam i përshtatur me stilin e jetën në këtë vend, por kurrë më shumë se tani nuk më mungon Shqipëria dhe kjo është e habitshme. Për mua që kam kaluar më shumë se 20 vite këtu në Shqipëri, e kam marrë injeksionin dhe është shumë e vështirë që të harrohet. Gjithmonë më mungon ky vend, por edhe fansat e grupit, historia që ne kemi krijuar me këtë grup muzikor më bën të kthehem e të punoj ende këngë për këtë publik.
Intervistoi: Sava Lena