Qendra Kombetare e Monitorimit te Trafikut (Foto Atsh)
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se janë drejt përfundimit punimet për ndërtimin e Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Trafikut, e cila do të monitorojë 24 orë në 7 ditë të javës akset rrugore kryesore të vendit.
Kryeministri Rama bëri të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale, cituar nga “ATSH”, se do të niset fillimisht me monitorimin e 200 kilometrave të parë, ku përfshihen akset rrugore Tiranë-Elbasan dhe i gjithë aksi nga Tirana në Vlorë.
“Në këtë Qendër Monitorimi do të operojnë, për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, skuadra e Autoritetit Rrugor Shqiptar, për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, skuadra e Urgjencës Kombëtare, për Ministrinë e Mbrojtjes, skuadra e Emergjencave Civile dhe për Ministrinë e Brendshme, skuadra e Policisë Rrugore”,- informoi kryeministri.
Sipas kreut të qeverisë shqiptare, në koordinim të plotë, këto institucione do të përpunojnë në kohë reale të dhënat të cilat do të vijnë përmes kamerave që do të instalohen përgjatë akseve rrugore.
Në Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Trafikut po kryhen punimet e fundit për instalimin e sistemeve kompjuterike, përmes së cilave do të kryhet monitorimi 24 orë në 7 ditë të javës i disa prej akseve rrugore kryesore të vendit. (Irma)