Pasaporta shqiptare (Foto Gazetablic)
Qeveria shqiptare propozoi ndryshime në ligjin “Për të huajt”, ndërkohë që drafti është hedhur për konsultim publik.
Kushtet e lejeve të qëndrimit për shtetasit e huaj në Shqipëri do të ndryshojnë, shkruan “Panorama”.
Në ligjin e depozituar për konsultim publik, parashikohet që shtetasit nga vendet e BE-së dhe SHBA-së duhet të jetojnë apo punojnë në Shqipëri për të paktën 5 vjet, për t’u bërë shtetas të përhershëm. Por në ndryshimet e reja parashikohen dhe përjashtime.
Një person i huaj nga vendet e BE-së, zona Shengen apo SHBA, që është në prag të pensionit dhe ka kontribuuar për të paktën 12 muaj në Shqipëri, mund të pajiset me lejen e përhershme.
Lehtësim do të ketë edhe në rastet kur një person që ka punuar për 2 vjet, shpall paaftësinë për të punuar. Në këto raste përfshihen aksidentet në punë apo një sëmundje që mund t’i ketë ardhur për shkak të profesionit.
Kushte për leje qëndrimi do të ketë dhe për studentët e huaj. Ata do të mund të lëvizin në Shqipëri për një vit, ndërsa do t’i lejohet dhe e drejta e punësimit duke respektuar limitin maksimal të 15 orëve në javë. Studentët e huaj, gjithashtu, do të mund të zgjasin afatin e tyre të qëndrimit në Shqipëri, deri në përfundimin e shkollës.
Shqipëria do t’u japë të drejtë shtetasve të vendeve të Bashkimit Europian që të qëndrojnë në territorin shqiptar pa leje qëndrimi apo leje unike, për më shumë se tre muaj. Kjo është një nga risitë e propozuara në Ligjin për të Huajt nga Ministria e Brendshme, i hedhur së fundi për konsultim publik. (Irma)