Kryediplomatja gjermane (Foto Atsh)
Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock i bëri thirrje Izraelit të ndalojë projektet e vendbanimeve të kolonëve në Bregun Perëndimor, gjatë bisedimeve në Tel Aviv, pas vizitave në Arabinë Saudite dhe Jordani.
Kryediplomatja gjermane zhvilloi një vizitë në Lindjen e Mesme për të promovuar përpjekjet për të arritur një armëpushim dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve midis Izraelit dhe Hamasit, si dhe për të rritur ndihmën humanitare në Gazën e shkatërruar nga lufta, shkruan “ATSH”.
Pas 11 muajsh luftime, administrata amerikane bëri të ditur se beson se marrëveshja e armëpushimit mbetet e arritshme. Por, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, këmbëngul që trupat të qëndrojnë në një zonë tampon në Gaza përgjatë kufirit me Egjiptin, një kërkesë që ka sjellë pengesë për një marrëveshje.
Baerbock i kërkoi qeverisë izraelite t’i japë fund projekteve të vendbanimeve të kolonëve në Bregun Perëndimor për të ndihmuar në ndërtimin e besimit në rajon.
Duke folur pas një takimi me homologun e saj izraelit, Israel Katz, në Tel Aviv, ajo tha se ndërtimi i vendbanimeve në Bregun Perëndimor ishte në shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar.
Qeveria e Izraelit duhet gjithashtu të ndërmarrë një veprim më të fortë dhe më të dukshëm kundër akteve të dhunës të kryera nga kolonët radikalë, tha Baerbock, duke e cilësuar një hap të rëndësishëm drejt zbutjes së tensioneve në Bregun Perëndimor. (Irma)