Presidenti ukrainas u bën thirrje vendeve aleate për ndihmë ushtarake
2024-09-08 17:13:07

Zelensky (Foto Rtsh)

Zelensky (Foto Rtsh)

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u kërkoi Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera partnere më shumë mbështetje ushtarake, ndërsa ishte i pranishëm në takimin e 24-t të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës (UDCG), të zhvilluar në Ramstein të Gjermanisë, shkruan “RTSH”.

Ai bëri të ditur se SHBA-ja dhe Perëndimi duhet ta lejojnë Ukrainën t’i përdorë armët e dërguara prej tyre për të goditur brenda territorit rus.

“Ne duhet ta kemi këtë aftësi me rreze të gjatë veprimi, jo vetëm në territorin e ndarë të Ukrainës, por edhe në territorin rus, në mënyrë që Rusia të jetë e motivuar për të kërkuar paqen”,- tha Zelensky.

Presidenti ukrainas theksoi se sistemet mbrojtëse që janë premtuar nuk kanë arritur aq shpejt sa duhet.

“Është e rëndësishme që çdo paketë e premtuar të vihet në funksionim menjëherë, pa asnjë vonesë. Nga kjo varet ecuria e luftimeve në rajonin e Donetskut. Nëse Rusia nuk shënon arritje atje, nuk do të mund të përparojë më tej”,- tha Zelenskyy.

Takimi i Gjermanisë u përqendrua te furnizimet e mëtjeshme të ushtrisë së Ukrainës me mbrojtje ajrore dhe artilerie dhe në përforcimin e bazës industriale të mbrojtjes të Ukrainës.

Për dy vjet, anëtarët e Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes kanë plotësuar nevojat e mëdha të Ukrainës për artileri dhe mbrojtje ajrore, duke filluar nga armët e lehta e deri te disa nga sistemet më të sofistikuara të mbrojtjes ajrore të Perëndimit dhe së fundmi avionë luftëtarakë.

Vendit anëtare të Grupit të Kontaktit kanë ofruar gjithsej rreth 106 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë për Ukrainën, 56 miliardë nga të cilat janë dhënë nga Shtetet e Bashkuara. (Irma)