Libra (Foto Iconstyle)
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga shpërndarja e librave falas, nismë që synon të lehtësojë barrën financiare për mijëra familje shqiptare.
Këtë vit, më shumë se 238 mijë nxënës do të përfitojnë libra falas, falë një buxheti prej mbi 9 milionë dollarë të akorduar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, shkruan “ATSH”.
Prindërit e kanë vlerësuar këtë nismë, duke e cilësuar si lehtësim për buxhetet e tyre familjare.
Janë rreth 227 mijë nxënës nga klasa I deri në klasën IX dhe rreth 12.500 nxënës nga klasa e dhjetë deri në klasën e dymbëdhjetë, që i përkasin kategorive të caktuara, të cilët përfitojnë mbështetje për tekstet falas.
Ky program i mbështetjes së librave falas është i fokusuar për nxënësit që vijnë nga familje me problematika sociale dhe ekonomike, si dhe ata që kanë nevojë për mbështetje të veçantë, përfshirë fëmijët me aftësi ndryshe dhe ata nga pakicat dhe minoritetet.
Shpërndarja e librave do të vazhdojë sipas një grafiku të caktuar në koordinim me mësuesit dhe prindërit, duke siguruar që të gjithë nxënësit të marrin tekstet e tyre në kohë. (Irma)