Ministrja Pirdeni: Në raportin e OECD-së, Shqipëria lider rajonal në politikat antikorrupsion
2024-09-07 14:31:25

Ministrja Pirdeni (Foto Atsh)

Ministrja Pirdeni (Foto Atsh)

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, deklaroi se Shqipëria është lider rajonal në politikat antikorrupsion sipas raportit të OECD-së mbi Konkurrueshmërinë për Ballkanin Perëndimor për vitin 2024, i cili mat ecurinë e politikave në sferat kryesore të ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, shkruan “ATSH”.

“Rezultati i Shqipërisë, ku është shënuar progres në 14 nga 15 fusha të rëndësishme, është një demonstrim i impaktit real të politikave që janë ndërmarrë e po ndërmerren për të garantuar një standard të pakthyeshëm mirëqeverisjeje për qytetarët”,- deklaroi ministrja Pirdeni.

Raporti thekson se Shqipëria ka rezultatin më të lartë ndër ekonomitë e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor për dimensionin e politikave antikorrupsion, duke tejkaluar ndjeshëm rajonin në fushat e parandalimit të korrupsionit si dhe hetimit dhe ndjekjes penale.

“Përpjekjet për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin janë forcuar falë një kuadri gjithëpërfshirës ligjor dhe institucional”,- thuhet në raport. (Irma)