Temperatura e larte (Foto Insiderpaper)
Shërbimi i klimës i Bashkimit Europian, “Copernicus”, bëri të ditur se vera e vitit 2024 ishte më e nxehta e regjistruar ndonjëherë në hemisferën veriore, shkruan “ATSH”.
Sipas të dhënave të “Copernicus”, temperatura mesatare globale për verën boreale (qershor-gusht) 2024 ishte më e larta në rekord në 0.69 gradë celsius mbi mesataren e viteve 1991-2020 për ata tre muaj.
“Gjatë tre muajve të verës, globi ka përjetuar qershorin dhe gushtin më të nxehtë, ditën më të nxehtë të regjistruar dhe verën më të nxehtë boreale të regjistruar”,- tha zëvendësdrejtoresha e “Copernicus”, Samantha Burgess.
Sipas saj, ky varg temperaturash rekord po rrit gjasat që 2024-a të jetë viti më i nxehtë i regjistruar.
“Ngjarjet ekstreme të lidhura me temperaturën e dëshmuar këtë verë do të bëhen më intensive, me pasoja më shkatërruese për njerëzit dhe planetin nëse nuk merren masa urgjente për të reduktuar emetimet e gazeve serrë”,- theksoi Burgess.
Temperatura mesatare europiane gjatë tre muajve të verës ishte më e larta në rekord me 1.54 gradë celsius mbi mesataren e viteve 1991-2020, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm nga viti 2022 prej 1.34 gradë.
Nga të dhënat e “Copernicus” bëhet e ditur se për periudhën nga shtatori 2023 deri në gusht 2024, temperatura mesatare globale ishte 1.64 gradë celsius mbi mesataren para-industriale.
Shërbimi i klimës i Bashkimit Europian, “Copernicus” publikon rregullisht të dhëna për temperaturën e sipërfaqes së tokës, mbulesën e akullit të detit dhe reshjet. Gjetjet bazohen në analizat e krijuara nga kompjuteri që përfshijnë miliarda matje nga satelitët, anijet, avionët dhe stacionet e motit në mbarë botën. (Irma)