Ministri Gonxhja: Produktet shqiptare të jenë konkurruese në tregjet ndërkombëtare
2024-09-07 15:35:37

Keshilli i investimeve (Foto Atsh)

Keshilli i investimeve (Foto Atsh)

Adresimi i sfidave për konkurrueshmërinë dhe rritjen e aksesit në tregje të produkteve shqiptare me standarde europiane ishte kryefjala e mbledhjes së Këshillit të Investimeve, nën drejtimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.

Ministri theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe dialogut midis qeverisë dhe sektorit privat me fokus konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në tregjet europiane dhe nevojën për harmonizim me kërkesat e nje tregu me standarde të produkteve të BE-së, shkruan “ATSH”.

“Kjo temë është tejet aktuale dhe me rëndësi strategjike për zhvillimin e ekonomisë sonë. Nevojat për kualifikim dhe ekspertizë të shtuar, nevoja për analizë të kostove të larta si edhe shkëmbimi efikas i informacionit mes sektorit publik dhe atij privat, mbeten ende sfiduese, që kërkojnë angazhim të përbashkët për t’u kapërcyer”,- deklaroi ministri Gonxhja.

Ai theksoi se qeveria shqiptare është e angazhuar plotësisht për të përmirësuar infrastrukturën e cilësisë, për të forcuar kapacitetet e inspektorateve, dhe për të ndihmuar bizneset që të përmbushin standardet europiane.

“Ky proces ka hyrë tashmë në një drejtim pa kthim dhe sektori privat shqiptar duhet të jetë i ndërgjegjshëm jo vetëm për t’i adoptuar këto standarde, por për t’i paraprirë këtyre ndryshimeve duke i adoptuar ato paraprakisht. Mbi të gjitha, dua të nënvizoj rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet qeverisë dhe sektorit privat. Vetëm përmes dialogut të hapur dhe veprimit të koordinuar mund të arrijmë që produktet shqiptare të jenë konkurruese në tregjet europiane dhe më gjerë”, deklaroi ministri Gonxhja, duke theksuar se përafrimi me standardet europiane është thelbësor për integrimin e suksesshëm në BE. (Irma)