Projekte të reja muzikore nga Xhesi Muharremaj
2024-09-07 22:33:50

Këngëtari i muzikës popullore të jugut Xhesi Muharremaj ka disa vite që është në tregun muzikor me krijimet e tij. Fillimisht ai e ka nisur rrugëtimin në muzikë si organist në evente të ndryshme muzikore. Xhesi e ka trashëguar këngën nga babai dhe gjyshi i tij, të cilët kanë qenë muzikantë. Ka realizuar dy këngë të reja popullore, që janë pritur mirë nga artdashësit dhe sapo ka përfunduar xhirimet e videoklipit të një kënge  tjetër dedikur fshatit të tij të lindjes, Levan. Në planet e tij të afërta janë dhe tre krijime të reja popullore. Në një intervistë për Radio Ejani Xhesi Muharremaj tregon për fillimet e tij në muzikë, aktivitetet muzikore dhe projektet në të ardhmen.

CMG: Si kanë qenë hapat tuaj të parë me këngën pooullore?

Xhesi Muharremaj (Foto personale)

Xhesi Muharremaj (Foto personale)

Xhesi Muharremaj: Hapat e para në muzikën popullore kanë qenë në moshën 15 vjeçare, sepse unë kam punuar si organist në gëzime familjare me këngëtarë të ndryshëm. Në shtëpi këndoja dhe më lindi dëshira për të studiuar më shumë këngët popullore. Kështu e pashë veten që isha më mirë këngëtar. Në fakt babai dhe gjyshi im kanë qenë muzikantë dhe unë nga ata e kam trashëguar.

CMG: Po në tastierë vazhdon të luash?

Xhesi Muharremaj: Tastierën e kam lënë dhe pse i bie ndonjëherë për qejf, por tani jam i lidhur më shumë me këngën.

CMG: Sa këngë ke publikuar deri tani dhe si janë pritur nga publiku?

Xhesi Muharremaj: Kam publikuar dy këngë deri tani dhe janë pritur mjaft mirë nga publiku. Dua t’i falenderoj adhuruesit e mi  dhe së shpejti kam projekte të tjera muzikore për të publikuar.

CMG: Ke në plan ndonjë duet me këngëtarë të tjerë të muzikës popullore?

Xhesi Muharremaj duke kenduar ne nje event (Fot personale)

Xhesi Muharremaj duke kenduar ne nje event (Fot personale)

Xhesi Muharremaj: Normal që kam menduar edhe për duete, por tani dua të nxjerrë disa këngë të tjera vetëm. Ndërkohë që në të ardhmen dëshiroj të kem bashkëpunime me këngëtarë të tjerë.

CMG: Cilat kanë qenë aktivitetet tuaja muzikore këtë sezon veror?

Xhesi Muharremaj: Përsa i përket aktiviteteve të mia muzikore, këtë sezon kam qenë shumë i pranishëm në gëzimet familjare dhe vazhdoj të jem akoma. Për mua është shumë kënaqësi të jem i pranishëm në dasma apo gëzime të tjera familjare dhe ndjehem vërtetë shumë mirë.

CMG: Kur je i pranishëm në gëzimet familjare këndon vetëm këngë jugu, apo dhe të trevave të tjera?

Xhesi Muharremaj: Këndoj këngë të të gjithë trevave të Shqipërisë, por më shumë jam tek treva e jugut.

CMG: Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e produksioneve muzikore?

Xhesi Muharremaj gjate realizimit te nje videoklipi (Foto personale)

Xhesi Muharremaj gjate realizimit te nje videoklipi (Foto personale)

Xhesi Muharremaj: Këngën e parë e kam realizuar me kompozitorin Genci Malaj, që gjej rastin ta falenderoj. Ndërsa kënga e dytë është realizuar nga miku im Elton Muçaj, që e falenderoj dhe atë bashkë me mikun tjetër Loli Metushi. Ndërkohë tekstet e këngëve janë shkruar nga Ilirjan Grabova.

CMG: Ke dëshirë të sjellësh në repertorin tënd këngë të vjetra popullore?

Xhesi Muharremaj: Kam kënduar në evente muzikore këngë të vjetra popullore, por që të bëj për t’i publikuar nuk e kam menduar tani, sepse dua të realizoj këngë popullore të padëgjuara.

CMG: Si është kalendari juaj i eventeve muzikore për muajt në vazhdim?

Xhesi Muharremaj: Këtë sezon jemi mirë me evente muzikore dhe vazhdojmë të punojmë akoma.

CMG: Ke qenë për koncerte jashtë vendit?

Xhesi Muharremaj: Kam marrë pjesë nëpër koncerte në disa vende, si Itali, Greqi, Norvegji, Suedi e vende të tjera. Unë përveç koncerteve kam qenë dhe në dasma e ditëlindje jashtë Shqipërisë. Gjithashtu kam në vazhdim të tjera aktivitete në Greqi dhe Itali.

CMG: Si është publiku i diasporës?

Xhesi Muharremaj me vellain e tij (Foto personale)

Xhesi Muharremaj me vellain e tij (Foto personale)

Xhesi Muharremaj: Publiku i diasporës është i mrekulkueshëm, na mirëpresin mirë sepse kanë mall për këngët tona popullore, ngaqë jetojnë larg atdheut.

CMG: Ke ndonjë këngëtar të muzikës popullore idhull?

Xhesi Muharremaj: Kam shumë këngëtarë idhuj  dhe nuk kam cilin të zgjedh. Të gjithë këngëtarët e jugut janë shumë të mirë.

CMG: Dëshiron të bësh ndonjë bashkëpunim me këngëtarët që i ke si idhuj?

Xhesi Muharremaj: Kam dëshirë të bëj bashkëpunime, sepse janë shumë këngëtarë të mirë, por akoma nuk e kam vendosur se me cilin do të bëj duet.

CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në vazhdim?

Xhesi Muharremaj: Unë në 16 gusht xhirova videoklipin e një kënge dedikuar fshatit tim Levan. Dua të falenderoj dhe njerëzit atje, që janë tre miqtë e mi Arian Brahushi, Gëzim Bradhi dhe Elezi, sepse ata organizuan të gjitha xhirimet e videoklipit të këngës. Gjithashtu kam dhe tre projekte të tjera muzikore, të cilat do t’i realizoj dhe publikoj së shpejti për publikun.

CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Xhesi Muharremaj ne nje event muzikor (Foto personale)

Xhesi Muharremaj ne nje event muzikor (Foto personale)

Xhesi Muharremaj: Së pari ju falenderoj juve dhe Radio Ejani për ftesën dhe të gjithë ata që na dëgjojnë. Falenderoj dhe fansat që më duan dhe më mbështesin.

Intervistoi: Gazmend Agaj