Ministrja Manastirliu: Viti i ri shkollor nis me ndryshime rrënjësore në infrastrukturën shkollore
2024-09-07 18:56:13

Ministrja Manastirliu (Foto Ministria e Arsimit)

Ministrja Manastirliu (Foto Ministria e Arsimit)

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, deklaroi se viti i ri shkollor do të jetë me rezultate shumë të mira në çdo aspekt.

Ndërsa vizitoi një shkollë në Kamëz të Tiranës, ministrja Manastirliu tha se ka shumë shkolla të reja që hapin dyert për fëmijët, mësues më shumë të shpërblyer dhe të motivuar, të cilët do të orientojnë nxënësit për karrierën.

Po ashtu, sipas saj, do të ketë edhe koordinator për vlerësimin e cilësisë, si dhe gjithë mbështejen e duhur për orët mësimore, laboratorët e shkencave apo laboratorët e TIK-ut, shkruan “RTSH”.

Ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e standardeve të reja që po vendosen në shkolla jo vetëm për investimet në infrastrukturë, implementimin e programeve të reja por dhe me vëmendjen e shtuar për nxënësit me aftësi të veçanta.

“Standardi i shkollave është rritur ndjeshëm dhe ju tani mund të keni të gjithë shërbimin arsimor ashtu siç dëshirohet. Janë mbi 2000 mësues që janë angazhuar si mësues ndihmës në shkolla dhe sigurisht që fokusi ynë është që me buxhetin e ri të rrisim numrin e mësuesve ndihmës në shkolla për t’iu përgjigjur nevojave të çdo fëmijë”,- tha Manastirliu. (Irma)