Rrëfimi i Kleard Gërmenjit
2024-09-07 22:22:47

Lufta më e madhe e imja është ta zbuloj çfarë arti është për mua, por ajo që mund të them dhe që është shumë e sigurt është se është nevojë. Është nevojë shumë e madhe për mua. E di që ndonjëherë tingëllon pak patologjike, por realisht të marurit me art është një mënyrë jetese, jo vetëm në çështje ekonomike, por është një lloj satisfaksioni që ti ndjen edhe ai momenti kur ti del para publikut  fillon edhe thua: “në rregull, kjo është gjëja që unë dua të bëj” edhe në një formë kthehet në oksigjenin tend. Kjo është ajo që dua më shumë. Kjo është e sigurt: artin e dua.

K. Germenji në aktrim (Foto personale)

K. Germenji në aktrim (Foto personale)

Kam vite që merrem me teatër dhe është momenti kur zakonisht janë hapat që ti hyn në skenë e  për mua janë fantastike, është saundi më i preferuar imi përgjatë gjithë jetës, deri tani sepse nuk jam aq i moçëm sa të them i gjithë jetës sime. Dashuria për artin ka nisur shumë vite përpara. Babi im është fans i letërsisë, i librave dhe gjithmonë më ka nxitur me idenë që duhet të lexoj, por që unë të jem shumë realist i kam bërë bisht. Në fillimet e mia nuk kam pasur shumë pasion për të lexuar. Filloi të merrte fuqi tek unë arti në momentin kur një zysha ime e letërsisë më tregoi për teatrin. Pra forma ime e parë e dashurisë me artin në tërësi ka qenë teatri. Aty fillova të njihja dramaturgët, letërsinë, filmat, pastaj muzika, ndriçimi.

Filluan të gjitha komponentët të lidheshin me njëri- tjetrin edhe i jam shumë mirënjohës asaj zyshës se realisht më ka ndryshuar jetën 180 gradë, kjo është pak por e sigurtë.

Momenti im i parë në Akademi ka qenë me dridhje këmbësh sepse nuk ndihesha 100 përqindëshi. Unë kërkoj perfeksion nga vetja dhe asnjëherë nuk ndihem gati. Mua duhet të më ndezësh dritën që të them ok flasim, se në të kundërt unë asnjëherë nuk ndihem i kënaqur nga puna ime, nga arritja ime. Gjithnjë kërkoj më shumë, dua të eci më shumë dhe jam nga ata njerëz që deri në sekondën e fundit jam duke bërë prova me veten. Më pëlqen të funksionoj në këtë lloj formë dhe impakti i parë ka qenë fantastic, sepse kur kam hyrë në Akademinë e Arteve që tani është Universiteti i Arteve, jam ndjerë i rritur para kohe. Kuptova çfarë përgjegjësie kishte të dilje pëprara një publiku edhe kur ti je në moshën shtatëmbëdhjetë apo tetëmbëdhjetë vjeç për ty gjërat janë pak kalimtare, pak lojëra dhe ti aty thua në rregull e gjitha kjo mbaroi e tani duhet të jem i pjekur, duhet të jem artist.

Kleard Gëermenji (Foto personale)

Kleard Gëermenji (Foto personale)

Për mua faza e parë e Akademisë, viti i parë ka qenë fantastik, ka qenë ndërrim total i jetës, që nga gjumi, ushqimi, e lexuara, puna me pedagogët. Është një nga vitet më të bukura të jetës sime. Aty kam mësuar për aktorët, për ndriçimin, kam mësuar për muzikën, për mizansenën që quajmë ne në teatër, janë lëvizjet. Kam mësuar për regjisorët, për aktorët edhe jo vetëm biografitë, por kam mësuar si ekzekutohet edhe jam ndjerë gjithmonë kur dilja në rrugë, kur dilja nga Akademia, më falni për këtë, por ndihesha pak ndryshe. Thosha që jam pak hapa para botës dhe po e shikoj në një kënd tjetër botën e jetën.

Shfaqja ime e parë jo profesioniste besoj si çdo pjestar i moshës sime, ka qenë shfaqja “Shi në plazh”. E kemi vënë në shkollën e mesme nga zysha e letërsisë dhe kam pasur rolin kryesor. Nuk mund ta quaj shfaqje, ajo ishte thjesht një mbledhje shokësh, shoqesh ku ne u përpoqëm të luanim aktorin. Shfaqja ime e parë profesioniste ka qenë si asistent. Kam qenë asistenti i zysh Rozi Kostanit,  që është regjisore.

Kleard Gërmenji  aktor (Foto ersonale)

Kleard Gërmenji  aktor (Foto ersonale)

Si aktor shfaqja ime e parë ka qenë në Teatrin Kombëtar, kam pasur një rol figurant. Ka qenë Gëzim Kame regjisori edhe momenti kur është hapur perdja e Teatrit Kombëtar unë jam mpirë. Pastaj regjia ime e parë, se unë kam shumë të para, ka qenë një shfaqje për fëmijë dhe ka qenë fantastike sepse atë dramë e kam shkruar vetë dhe ka qenë për një temë që mua më pëlqen shumë. Ka qenë ideja e frikës, e përbindshave. E kam shkruar, kam bërë regjinë dhe jam ndjerë në mënyrë fantastike kur më vinin fëmijët dhe më përqafonin. Ata nuk e dinin kush isha, por më kishin parë që unë rrija diku aty lart dhe mbaja dritat dhe foninë.

Të futesh në lëkurën e një personazhi është më e vështirë se të bësh një milion dollar. Është një punë e gjatë. Nis nga një proces analizues, i detajuar deri në gjërat më të vogla, deri në mënyrën sesi ai ndoshta mund të krruaj kokën. Aq thellë shkon dhe pastaj pasi e ke kuptuar personazhin, ke kuptuar se ku ai do të dalë, çfarë qëllimesh të sakta ai ka dhe pastaj fillon ta provosh dhe në ato fillimet ndihesh pak i huaj, por ti duhet ta bindësh veten. Duhet t’i thuash jo ky jam unë. Ky procesi jam, nuk jam dhe duhet të jem është i vazhdueshëm, të paktën nja tre javë të plota derisa ti e ke përthithur të gjithë atë gjë dhe e përjeton. Është fantastik momenti kur ti je bërë personazhi, sepse realisht fundi i shfaqjes për ty, ke një lloj shkëputje dhe thua tani do të sillem realisht si ai që jam apo duhet të vazhdoj akoma të ruaj personazhin. Për mua është e barabartë me të marrurit ajër të futesh në lëkurën e një personazhi.

Sfidat e mia si regjisor?

Kleard Gërmenji (Foto personale)

Kleard Gërmenji (Foto personale)

Fjala regjisor vjen nga latinishtja që do të  thotë “rexhis” që është mbret, dhe duhet të jesh mbret i drejtë jo abuzues dhe mbreti i drejtë ka shumë detyra e shumë përgjegjësi. Është periudhë shumë e gjatë sepse ty do të të duhet në fillim të gjesh një vepër, e cila i flet realitetit ku jetojmë, se mund të ketë një pafundësi dramash e veprash dhe autorësh, por duhet të gjesh atë të duhurën, që kur publiku të vijë të thotë kjo ishte ajo që unë doja të dëgjoja këtë pasdite, pra është i  famshmi termi katharsis.

Pasi ke gjetur këtë vepër është të luftosh me demonët e tu deri sa të kesh një imazh, i cili ty të kënaq dhe çda gjë është në rregull. Kjo është ajo që unë dua të shfaq dhe pastaj është një proces shumë i gjatë i përzgjedhjes së aktorëve, do të duhet të gjesh personazhet sa më afër specifikave që drama kërkon dhe pasi ke gjetur aktorët duhet nga fillimi në fund ti përkëdhelësh ata sepse të dalësh në skenë përpara një publiku është vërtetë tension edhe ata duhet të jenë perosnat më të qetë ditën e shfaqjes. Pastaj është momenti i krijimit, momenti më i bukur i regjisorit ku je me teknikët dhe je duke hedhur ndriçimin, je duke vendosur skenografinë, kostumet. Për mua ajo është gjëja më e bukur e të bërit regji sepse aty fillon edhe ndihesh sikur kemi qenë fëmijë edhe thua në rregull këtu do të ketë një lule, këtu do të ketë një pemë. Imagjinata jote është e pafundme dhe është një ndër proceset që vërtetë kërkon shumë guxim sepse momenti kur ti, aq më tepër në premierë, kur publiku mblidhet edhe ti dëgjon ato përshpëritjet e vogla ose edhe e kundërta sepse është normale edhe shajnë. Arti nuk është gjithmonë perfekt dhe prandaj mua më pëlqen. Ti në një lloj forme merr një lloj vlerësimi dhe thua a jam unë në rregull me krijimin tim apo ka qenë e gjitha një imagjinatë e imja dhe më pëlqen vetëm mua.

Unë si aktor dhe unë  në rolin e ëndrrave? Pyetje shumë e vështirë sepse dihet, kur ne themi teatër të gjithë kërkojnë rolet e Shekspirit, aty na qan shpirti por për diçka jam i sigurt: çdo lloj roli ka atë botën magjike mbrapa. Unë jam përpjekur që gjithmonë mos të idealizoj një rol, një dramaturg, një lloj stili të bërit shfaqje sepse kam frikën se në rast se do të idealizoj një rol, apo një regjisor, apo një dramaturg kam frikën se do të ngel gjithmonë në të njëjtën rrjedhë. Unë jam natyrë që më pëlqen të eksperimentoj.

Dua të gjej artin tim, të gjej atë se kush unë realisht jam, sepse ne e dimë që jo sapo ti mbaron shkollën e kupton çfarë je, apo kush je, apo çfarë stili ke dhe lufta më e madhe për mua kur je një i ri në art, në regji apo qoftë në interpretim është të gjesh realisht atë që ti je dhe pastaj të dish ta shpërfaqësh atë që realisht je prandaj nuk dua të them një emër roli por Shekspirin po, e kam ëndërr ta luaj. E dua pafund. Ndërkohë si regjisor më pëlqen shumë teatri i absurdit dhe “I huaji” i Kamys do të doja shumë që një ditë ta bëja shfaqje teatrale.

Kleard Gërmenji në skenë (Foto personale)

Kleard Gërmenji në skenë (Foto personale)

Ku e shikoj unë veten në të ardhmen? Pa dashje apo me dashje jam pak bohemian në zgjedhjet e mia. Nuk është çudi nëse një ditë papritur heq dorë dhe papritur të kthehem përsëri, pas dhjetë vitesh. Nuk dua të bëj plane. Sigurisht që të gjithë ne njerëzit kur duam të bëjmë plane për të ardhmen mundohemi të përpiqemi të shikojmë majën, përpiqemi të shikojmë teatrot e Europës dhe të botës e të gjitha këto por gjithmonë duhet të jemi pak realistë edhe unë nuk dua të ëndërroj shumë sepse kam pak frikë nga zhgënjimi kështu që  tentoj të shijoj ditën, momentin, arritjet momentale që kam dhe pastaj një projekt tjetër pak më të madh se ai përpara por nuk dua ta mendoj të fundit sepse kam frikë se do të më trembë dhe do të më bëj të ndihem pak në tension e do të them koha po kalon dhe unë ende nuk kam shkuar aty ku dua të jem.

Çfarë do ti thoja Kleit shtatëmbëdhjetë vjeçar? Thjesht, një mikesha ime e ka thënë, “fishkëlle” më shumë. Thjeshtë do të “fishkëlleja” më shumë dhe do t’i kisha marë gjërat me më shumë sportivitet dhe do t’i kisha shijuar disa gjëra më shumë sepse ndonjëherë e di që kam shpejtuar për hir të të bërit mirë edhe për tu bërë perfekt kam nxituar, por edhe kam “dhunuar” pak veten pa dashje. Kështu që këtë do t’i thoja: shoku im je shtatëmbëdhjetë vjeç dhe e ke tërë jetën përpara. “Fishkëlle” dhe avash avash do t’i arrish të gjitha.

Përgatiti Jerida Sakaj