Sondazhi: Pakënaqësia e qytetarëve me qeverinë gjermane arrin nivel rekord
2024-09-07 15:09:01

Emigrantet (Foto Panorama)

Emigrantet (Foto Panorama)

Pakënaqësia e qytetarëve me qeverinë gjermane ka arritur një nivel rekord. Vetëm 16 për qind e gjermanëve janë të kënaqur me koalicionin e përbërë nga SPD, Të Gjelbërit dhe FDP, shkruan “Panorama”.

Pas sulmit islamik me thikë në Solingen të një siriani që duhej të largohej nga Gjermania, qeveria federale vendosi të shtrëngojë ndjeshëm politikën e emigracionit dhe të sigurisë.

Për diskutim janë paraqitur propozime të shumta. Por CDU-ja dhe CSU-ja, të cilat përbëjnë grupin më të madh parlamentar të opozitës në Bundestag, nuk janë të kënaqura me planet e SPD-së, të Të Gjelbërve dhe të FDP-së. Ata kërkojnë kthimin mbrapsht të personave ilegalë që në kufi dhe e vënë në pikëpyetje ligjin për azilin.

Mosmarrëveshjet se cila është rruga e drejtë që duhet ndjekur prek ndjeshëm durimin e qytetarëve. Në sondazhin e zhvilluar nga grupi i mediave publike gjermane “ARD”, 77 për qind e gjermanëve me të drejtë vote iu përgjigjën me “Po” pyetjes: “A na duhet apo nuk na duhet një politikë thelbësisht e ndryshme për azilin dhe refugjatët?”.

Në përgjigje ka dallime sipas bindjeve politike. Mbështetësit e Të Gjelbërve dhe të socialdemokratëve mendojnë se nuk ka nevojë për ndryshime të mëdha në politikën për azilin dhe refugjatët. (Irma)