Gaza (Foto Panorama)
Situata humanitare në Rripin e Gazës është përtej katastrofës, paralajmëruan Kombet e Bashkuara.
Më shumë se 1 milion persona nuk kanë marrë asnjë vakt ushqimor në gusht, në pjesën jugore dhe qendrore të Gazës, përmes ndihmave humanitare, tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, citon “Panorama”.
“Pavarësisht sfidave me të cilat përballemi, OKB-ja dhe organizatat e tjera humanitare po vazhdojnë të bëjnë gjithçka që munden për të ofruar ndihmë shpëtuese për palestinezët”,- tha ai.
Në mesin 19 gushtit e deri në fund të muajit, 450.000 vakte ushqimore, të përgatitura në 130 kuzhina, u janë ofruar çdo ditë familjeve në mbarë Rripin e Gazës.
“Duhet theksuar se situata në Gaza vazhdon të jetë përtej katastrofës dhe ne ende nuk i kemi të gjitha kushtet e nevojshme për të mbështetur njerëzit”,- tha Dujarric.
Për të dytin muaj me radhë nuk ka pasur furnizime të mjaftueshme, që nënkupton se familjet në pjesën jugore dhe qendrore të Gazës kanë pranuar vetëm një racion ushqimor, sipas të dhënave nga OKB-ja.
Lufta në Gaza nisi më 7 tetor 2023, pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë gati 1200 persona dhe duke rrëmbyer afro 250 të tjerë.
Si pasojë e ofensivës ushtarake izraelite, në Gaza janë vrarë më shumë se 40.000 persona, sipas të dhënave nga autoritetet shëndetësore palestineze, dhe enklava po përballet me krizë të rëndë humanitare. (Irma)