Kryeministri francez (Foto Rtsh)
Presidenti francez, Emmanuel Macron, emëroi 73-vjeçarin Michel Barnier si kryeministër të ri të vendit.
Njoftimi erdhi rreth dy muaj pasi asnjë parti nuk fitoi një shumicë të plotë në zgjedhjet e parakohshme, duke çuar në një ngërç në negociatat se kush duhet të drejtojë qeverinë e Francës, shkruan “RTSH”.
Macron i kërkoi Barnier të formojë një qeveri unifikuese në shërbim të vendit dhe popullit francez, bëhet e ditur në një deklaratë nga Pallati Elysée.
Ai tani do të duhet të formojë një qeveri që do t’i duhet t’i mbijetojë një Asambleje Kombëtare të ndarë në tre blloqe të mëdha politike, me asnjë në gjendje të formojë një shumicë të qartë.
Barnier është ish-negociatori kryesor i BE-së për Brexit dhe ka udhëhequr bisedimet me qeverinë e Britanisë së Madhe midis viteve 2016 dhe 2019.
Një veteran i partisë së krahut të djathtë Republikanët (LR), ai ka pasur një karrierë të gjatë politike dhe ka shërbyer në poste të ndryshme të larta, si në Francë ashtu edhe brenda BE-së. (Irma)