Presidenti Begaj në Estoni: Rritje e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë
2024-09-07 15:22:33

Presidenti Begaj (Foto Atsh)

Presidenti Begaj (Foto Atsh)

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, u prit u prit me një ceremoni shtetërore në pallatin presidencial Kadriorg në Talin, nga homologu estonez, Alar Karis.

Forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, finalizimi i procesit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, bashkëpunimi për sigurinë kibernetike dhe Ukraina ishin në fokus të takimit kokë më kokë mes dy presidentëve, shkruan “ATSH”.

Kreu i shtetit shqiptar shprehu besimin se kjo vizitë do të rrisë bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjellë, si: turizmi, energjetika, siguria kibernetike, shërbimet elektronike dhe në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit.

Presidenti Begaj e konsideroi lajm të mirë vendosjen e linjës së re të përhershme “Air Baltik” midis Talinit dhe Tiranës. Sipas tij, kjo linjë shkurton distancën, rrit shkëmbimet ekonomike, turizmin dhe afron më shumë dy popujt.

Në takim u vlerësua ndihma estoneze ndaj Shqipërisë përballë pasojave nga sulmi kibernetik i vitit 2022 dhe, në këtë aspekt, presidenti Begaj theksoi se ky bashkëpunim mund të thellohet përmes akademisë estoneze për trajtimin dhe kualifikimin e të rinjve shqiptarë në fushën kibernetike.

Presidenti Begaj vlerësoi mbështetjen e Estonisë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ndërsa propozoi që Estonia të jetë më prezente në Shqipëri me ekspertizën e saj për integrimin, si një shtet pararojë në BE për reformën administrative. (Irma)