Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës, Begaj e Rama: Shembull i fuqisë së shpirtit, besimit dhe paqes
2024-09-06 10:44:27

Foto nga ATSH

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, e cilësoi atë shembull të fuqisë së shpirtit dhe besimit, me një jetë të kaluar në dedikim e shërbim ndaj të vuajturve.

“Mësimet e saj mbeten frymëzim për çdo shqiptar dhe mbarë njerëzimin”, deklaroi presidenti shqiptar, shkruan “ATSH”.

Kryeministri Rama e cilësoi Nënë Terezën gruan e paqes në botë.

Misionarja Agnes Gonxhe Bojaxhiu, lindi në Shkup në një familje shqiptare,  në vitin 1910. Më 1928 shkoi në Indi, ku iu përkushtua ndihmës ndaj të varfërve. Në vitin 1948 ajo u bë një qytetare indiane dhe themeloi Urdhrin e Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta, në vitin 1950, duke marrë famë për punën midis të varfërve dhe atyre që po vdisnin në atë qytet.

Për më shumë se 45 vjet ajo u shërbeu të varfërve, të sëmurëve, jetimëve dhe të vdekurve, ndërsa drejtoi zgjerimin e Misionarëve të Bamirësisë, fillimisht në Indi dhe më pas në vende të tjera, duke përfshirë bujtina dhe shtëpi për më të varfërit dhe të pastrehët.

Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997, në moshën 87-vjeçare.

Në njohje të rolit të bamirësisë në zbutjen e krizave humanitare dhe vuajtjeve njerëzore brenda dhe midis kombeve, si dhe të përpjekjeve të organizatave dhe individëve bamirës, duke përfshirë punën e Nënë Terezës, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, përmes një rezolute, caktoi 5 shtatorin, ditën e vdekjes së Nënë Terezës, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.

8 vite më parë, më 5 shtator 2016, Nënë Tereza fituese e çmimit Nobel për Paqen, u shpall shenjtore. Papa Françesku njohu dy mrekullitë e saj, të shërimit të të sëmurëve pas vdekjes së saj më 1997-n.

Në tetor të vitit 2003, papa Gjon Pali II miratoi mrekullinë e parë pas vdekjes së saj. Një grua 30-vjeçare në Kalkuta tha se ajo u shërua nga një tumor në stomak pas lutjeve të Nënë Terezës. Një komitet i Vatikanit bëri të ditur se nuk mund të gjente asnjë shpjegim shkencor për shërimin e saj dhe e shpalli atë një mrekulli.

Në ligjin “Për festat zyrtare” në Shqipëri u zëvendësua festa zyrtare e datës 19 shtator që është Dita e Lumturimit të Nënë Terezës, me datën 5 shtator, që është Dita e Shenjtërimit të saj. (Irma)