Banka e Shqipërisë: Rritja ekonomike u shoqërua me rritje të punësimit dhe pagave
2024-09-06 15:35:58

Banka e Shqiperise (Foto Atsh)

Banka e Shqiperise (Foto Atsh)

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit, ku vlerësohet ecuria pozitive e veprimtarisë sistemit financiar, shkruan “ATSH”.

Në raport thuhet se pavarësisht efektit pakësues të mbiçmimit të kursit të këmbimit, në sektorin bankar depozitat u zgjeruan dhe ritmi i rritjes së kredisë u përshpejtua. Në tërësi, rezistenca e veprimtarisë bankare ndaj rreziqeve ishte e mirë, në kushtet kur kapitalizimi i veprimtarisë mbeti i qëndrueshëm dhe fitimi vijoi të përmirësohej me ritme të kënaqshme.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Sipas raportit, zhvillimet ekonomike gjatë kësaj periudhe ishin pozitive, ndikuar nga ecuria e mirë e konsumit dhe e investimeve, si dhe qëndrueshmëria e performancës së turizmit.

Rritja ekonomike u shoqërua me rritje të punësimit e të pagave dhe ulje të normës së papunësisë, thuhet në raport. Gjendja financiare e familjeve dhe e bizneseve vlerësohet e përmirësuar gjatë periudhës.

Politika fiskale ruajti prirjen konsoliduese në kushtet e rritjes së ndjeshme të të ardhurave fiskale. Presionet inflacioniste vijuan të bien dhe norma e inflacionit zbriti nën objektivin e Bankës së Shqipërisë, duke sjellë uljen prej saj të normës bazë të interesit.

Megjithatë, rreziqet për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend mbeten të pranishëm. Ato burojnë kryesisht nga pasiguria që mbartin zhvillimet gjeopolitike, por mund të zhvillohen edhe në kushtet e një optimizmi që shoqërohet me veprime të pakujdesshme nga ana e agjentëve ekonomikë.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Në raport vlerësohet se të gjithë agjentët e ekonomisë kanë mundësinë ta shfrytëzojnë këtë periudhë të veprimtarisë për të konsoliduar bilancet e tyre financiare, për të përmirësuar kapacitetet administruese në përgjithësi dhe të rreziqeve në veçanti, si edhe për të rritur eficiencën e veprimtarisë. (Irma)